Policia e Kosovës ka arrestuar një person që ka kërcënuar dhe ka kërkuar para nga lideri i Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli.

Lajmin e ka bërë të ditur Naim Murseli, këshilltar i Pacollit përmes një postimi në Facebook ku shkruan:

“Personi i arrestuar në orët e vona mbrëmë, me incialet E.H, i cili kërcënoi z. Pacolli dhe fëmijët e tij i ka kërkuar gjithashtu para. Personi ka pretenduar të jetë edhe prokuror i Kosovës. Ai ka kërcënuar po ashtu me arrestim të z. Pacolli. E.H ka kërkuar në internet shkollën e fëmijëve, e cila është shkollë publike, të z. Pacolli dhe ka kërcënuar atë se do t’i rrëmbejë dhe do t’i djeg ata për së gjalli. Z. Pacolli është shumë i tronditur dhe i mërzitur emocionalisht nga kërcënimët e bëra.”