Shtetasja italiane Roberta Zaninoni, e cila jeton prej kohësh në Durrës, po vuan humbjen e babait të saj, që ndërroi jetë në 13 mars, në vendin fqinjë.
Giuseppe Zaninoni u nda nga kjo jetë, pasi ishte infektuar nga Covid-19. Për shkak të mbylljes së kufijve si pasojë e masave strikte të marra për parandalimin e koronavirusit, Roberta e kishte të pamundur të udhëtonte drejt Italisë.
Ditën e sotme, Roberta ka bërë një postim mjaft prekës në rrjetet sociale, ku shprehet se nëse babai i saj do të jetonte, do të festonte 72-vjetorin e lindjes.
“Mirëmëngjes të gjithë… Unë nuk kam shkruar në këtë grup për një kohë të gjatë, por sot është një datë shumë e rëndësishme… Në 1 maj, përveç që është dita e punëtorëve, është ditëlindja e babait tim dhe nëse ai nuk do të kishte vdekur në 13 Mars 2020 nga koronavirusi në spitalin në Alzano Bergamo do të kishte mbushur 72 vjeç.
Ajo që shihni në foto është hiri i tij. Ende e kemi në shtëpi, sepse ende nuk kemi arritur ta bëjmë një varrim siç e meriton. Qiriri mbetet i ndezur çdo ditë dhe çdo mbrëmje dhe bëjmë një lutje për të dhe për të gjithë të vdekurit.
Meqenëse dëshmitë tona janë të rëndësishme dhe tani ekziston një komitet www.noidenunceremo.it që do të jetë në gjendje të na japë një zë së bashku me gjyqësorin, unë do të doja të ritregoj historinë e babait tim. Dhe madje edhe me peticionin kemi arritur 40,000 njerëz.”, shkruan Roberta Zaninoni





