Nga Mila Ballhysa

Hotelet përgjatë vijës bregdetare të Durrësit dhe Golemit kanë nisur të bëjnë ofertat e para për familjet që duan të kalojnë një fundjavë ndryshe pranë detit. Kushtet e mira atmosferike, por edhe hapja graduale e vendit përgjatë dy javëve të fundit i ka shtyrë strukturat hoteleriere të bëjnë hapat e para për thithjen e pushuesve.

Pandemia Covid-19 i ka goditur rëndë, pasi një vit më parë ata do t’i kishin thuajse të gjitha dhomat e zëna, ndërsa tani klientela është me pikatore. Mbyllja e kufijve dhe mospasja e një afati të qartë se kur do të nisë sezoni turistik, krijon pasiguri tek operatorët turistikë për ecurinë e këtij sezoni.

DurrësLajm ishte sot në Palace Hotel & Spa, i cili është ndër të parët që ka dalë me një ofertë konkrete për fundjavën. Menaxheri i hotelit, Majk Kulla, shprehet se ata kanë qëndruar hapur edhe në mars dhe prill, për disa shtetas të huaj që kanë bizneset e tyre në Shqipëri dhe s’mund të largoheshin. Ndërsa për fundjavën, kanë marrë disa prenotime nga çifte që duan të pushojnë pranë bregdetit të Durrësit.

“Oferta që kemi bërë është për tregun vendas. U munduam të bëjmë një ofertë ekonomike, duke pasur parasysh edhe humbjet ekonomike që kanë pësuar njerëzit në këto muaj. Nuk ka pasur shumë kërkesë, por kuptohet që njerëzit duan të lëvizin, të çlirohen nga streset”,– thotë Majk Kulla.

Ndërkohë, edhe Kompleksi FAFA në Golem ka bërë ofertën e parë. Nisur nga fundjava e gjatë, të paktën për ata që punojnë në administratën shtetërore, resorti ka publikuar në rrjete sociale ofertën për 3 ditë dhe 2 netë.

“Ka patur mjaft interesim nga qytetarët për të kaluar fundjavën, por deri tani janë bërë pak rezervime, pasi ka vështirësi për ardhjen në hotel. Qarkullimi me mjete private është ende i kufizuar dhe kjo na penalizon. Duhet të gjejmë patjetër një zgjidhje lidhur me transportin”,- bën të ditur për DurrësLajm menaxheri i kompleksit Fafa, Eridon Guzi.

Por krahas transportit, shpesh edhe të pamundur, qëndrimi në hotel është një problem më vete, pasi do të shoqërohet me masa strikte mbrojtëse. Një punonjës po kryente dezinfektimin e dhomave, në hotel Palace, në kohën e mbërritjes sonë. Gjithçka po bëhej gati për t’u garantuar klientëve një qëndrim sa më të këndshëm në hotelin luksoz, ndërsa në ambientet e jashtme po kryhen punimet e fundit. Kulla siguron se para së gjithash vjen siguria e klientëve, përsa kohë që frika nga koronavirusi ekziston.

“Do të respektojmë rigorozisht masat, duke nisur nga stafi, që është i pajisur me doreza, maska, dezinfektantë. Klientët nuk do të krijojnë grupime. Nëse do të duan të përdorin pishinën apo palestrën do të na njoftojnë më parë dhe ne do t’u përcaktojmë oraret. Një orë do të qëndrojnë personat që do të jenë në një dhomë,  më pas do të vijnë ata të dhomës tjetër. Nëse do të duan të konsumojnë drekën apo darkën, ajo do t’u serviret në dhomë”,– thotë Kulla.

“Lidhur me masat që ka marrë hoteli, duam të theksojmë që me agjensitë turistike me të cilat bashkëpunojmë kemi përcaktuar një protokoll bashkëpunimi për mënyrën se si do të veprojmë duke nisur nga pritja e klientëve, akomodimi nëpër dhoma, frekuentimi i pishinës dhe plazhit. Mbi bazën e këtij protokolli do të veprojmë dhe me klientët e kësaj fundjave”,– bën të ditur menaxheri Guzi nga kompleksi Fafa.

Shumë pasiguri për sezonin turistik

Operatorët turistikë janë në pritje të planit të masave që do të prezantojë ministria për këtë sektor. Çadrat dhe shezlongët ende nuk janë vendosur, sepse do duhet të respektojnë distancat që do të komunikohen nga dikasteri i linjës. Në vitet e kaluara, resortet dhe hotelet luksoze përgjatë vijës bregdetare të Durrësit kanë qenë plot me pushues të huaj nga vendet nordike, Polonia, Çekia etj. Ndërkohë, këtë vit ende është e paqartë nëse do të vijnë dhe kur mund të vijnë charter-at me pushuesit e parë. Gjithsesi, operatorët turistikë po përgatisin oferta për pushuesit vendas dhe ata nga Kosova e Maqedonia. Ndërkohë, korriku dhe gushti pritet të jenë muajt me numrin më të lartë të turistëve.

“Operatorët turistikë po ndjejnë mungesën e likujditetit, prandaj janë duke punuar për të thithur klientelën vendase”,- thotë Arjana Isaku, administratorja e agjencisë turistike Dea Lines. Sipas saj, sezoni turistik pritet të nisë në muajin qershor, por gjithçka do të varet nga rregullat që do të vendosë Bashkimi Evropian.

“Është një zinxhir i tërë turistik, duke nisur nga transporti, guidat, hotelet, restorantet etj. Do të jetë një paketë e tërë, ku do të përcaktohen qartë rregullat e lëvizjes. Ne jemi në pritje”,- thekson Isaku.

Goditja që ka pësuar sektori i turizmit është mjaft e fortë, pasi tërmeti i 26 nëntorit dhe pandemia Covid-19, ka paralizuar thuajse tërësisht punën e operatorëve turistikë. Edhe paketa Rama 2, që u cilësua si një paketë mbështetëse për turizmin, duket se nuk u ka ardhur shumë në ndihmë hoteleve.

“Pandemia na ka dëmtuar shumë dhe rimëkëmbja e këtij sektori bëhet me shumë vështirësi. Ndihma e qeverisë për këtë industri ka qenë minimale. Kemi aplikuar për marrjen e “pagës së luftës”, por ende nuk na kanë kthyer përgjigje tatimet, ndërsa tatim fitimi është shtyrë për në janar”,- bëjnë të ditur nga resorti Fafa.

Ndërkohë, administratori i Hotel Palase pranon se kanë përfituar nga paketa, por gjithsesi ajo nuk është zgjidhje për situatën e rëndë që po kalojnë operatorët turistikë. Përsa kohë nuk është ende e qartë sesi do të reagojnë vendet evropiane për hapjen e kufijve, klientela vendase mbetet opsioni më i mirë.

“Ne po presim vendimet e qeverisë, që të paktën të kemi turistë lokalë, apo dhe nga Kosova e Maqedonia e Veriut. Kjo do ishte një zgjidhje e mirë për këtë vit të vështirë”,– thotë Kulla.

Disa nga hotelet dhe resortet turistike, nesër hapin dyert për herë të parë për pushuesit. Si për koincidencë, dita e nesërme përkon me 1 majin, ditën e punëtorëve, por operatorët turistikë shpresojnë që pas thuajse dy muajsh izolimi dhe lëvizje të kufizuar, qytetarët do të kenë nevojë të shkëputen nga stresi i shkaktuar nga koronavirusi.

Ata shpresojnë që maji të hyjë me këmbë të mbarë, për një nga sektorët më të rëndësishëm të ekonomisë…