Pasojat e karantinës në Shqipëri e Kosovë kanë goditur më keq ata, që edhe para krizës mezi e përballonin financiarisht muajin.
Me ndihmën gjermane po jepen ilaçe, ushqime e pajisje për familjet që kanë humbur punën. Në kohë krize solidariteti kthehet në nevojë. Tani në pandeminë e koronavirusit kjo nevojë është edhe më urgjente sidomos për vendet e varfra me infrastrukturë shëndetësore të dobët, ku renditen ende vendet e Ballkanit Perëndimor.
Masat e karantinës kanë prekur sidomos më të dobëtit e shoqërisë, të papunët, të sëmurët që nuk paguajnë dot barnat, të moshuarit. Mjaft organizata humanitare që janë aktive në rajon prej kohësh po ofrojnë tani ndihmën e tyre në krizën e Covid 19.
Mes tyre edhe organizata humanitare katolike, Renovabis me 29 vende partnere në Europën Lindore e Juglindore. Nga viti 1993 Renovabis është aktiv edhe në Shqipëri e në Kosovë, me një partneritet të gjatë me organizatat e Caritasit Shqiptar dhe Dioqezës Prizren-Prishtinë në Kosovë.
“Mbështetja e Renovabis në këtë situatë është e qenësishme pasi vjen në një moment delikat”, tha për Deutsche Wellen, drejtori i Caritasit shqiptar, At Antonio Leuci, i cili e sheh përditë sa shumë familje janë prekur nga pandemia.
“Familjet e varfra janë tani edhe më varfra, familjet vulnerable në zonat urbane e kanë më të dukshme varfërinë, por edhe në zonat rurale, varfëria është e dukshme, pasi mundësitë e tyre të jetesës nga bujqësia nga karantimi dhe mungesa e lëvizjes janë zeruar.”
Në 520 familje, rreth 1000 persona Caritasi Shqiptar po punon për të dërguar paketa ushqimore dhe higjienike. Shqipëria aplikoi masa shumë të ashpra për të përballuar pandeminë.





