Ndërsa numri i të papunëve është në rritje dhe një valë e fortë papunësie po godet rëndë ekonomitë e brishta të familjeve durrsake, njëkohësisht edhe biznesin, si pasojë e Covid-19, Zyra e Punës nëpërmjet programit të asistencës ofron gjysmën e pagës minimale për të gjithë ata që kanë humbur vendin e punës.

Të shumtë janë ata që përplasen në zyrën Rajonale të Punësimit, pavarësisht se shërbimet ofrohen edhe online. Qytetarët i besojnë më së shumti takimit ballë për ballë me drejtorin dhe nëpunësit e zyrës rajonale të punësimit, pasi një pjesë e kontigjentit të mbetur pa punë, nuk kanë as mundësi të aplikojnë online.

Kreu i Zyrës së Punësimit Indrit Buka, tha për “DurrësLajm” se pagesa e papunësisë nuk do t’i mohohet askujt dhe do ta përfitojnë të gjithë ata persona që kanë të siguruar 12 muaj pune.

Të gjithë mund të regjistrohen si të papunë e kanë 60 ditë afat, nga momenti që kanë dalë të papunë, për të përfituar nëpërmjet këtij programi.

“Zyra e Punës po punon online, nuk i mohohet e drejta askujt për t’u regjistruar në Zyrën e Punës, për t’u regjistruar si punë kërkues. Edhe nëse nuk aplikojnë dot online, të marrin në telefonat që ju kemi lënë në dispozicion.  Ne i marrim në telefon dhe i regjistrojmë në sistem. Pasi plotësohet i gjithë formulari merr statusin i papunë. Kemi dyndje të madhe. 100 persona vijnë nga portal e-Albania çdo ditë. Kemi komunikuar me bizneset si bashkëpunëtorë. Biznesi është në vështirësi të madhe si pasojë e pandemisë. Biznesi që punon me Italinë i kanë pezulluar aktivitetin”, pohoi Buka.

Por kush e përfiton dhe sa e përfitojnë pagesën e papunësisë?

“Duhet të jesh i siguruar prej 12 muajsh që të përfitosh pagesë papunësie. Çdo person e përfiton nëse ka qenë i siguruar për 12 muaj. Me tre dokumente duhet të paraqiten për të përfituar: librezë pune, llogari bankare, fotokopje e kartës së identietit”, sqaroi kreu i Zyrës së Punësimit.

Por gjatë këtyre tre muajve të pandemisë qeveria ka vendosur të dyfishojë pagesën e papunësisë për të gjithë ata që kanë dalë të papunë. Pagesa e papunësisë do të përfitohet sa paga minimale për tre muajt e parashikuar nga qeveria. Kriter për kohëzgjatjen e përfitimit të asistencës është vjetërsisa në punë, tha Buka.

Numri i punëkëkruesve është rritur në mënyrë drastike javët e fundit. Janë me dhjetëra fabrika kryesisht fasone që fabrikat mëmë i kanë në shtetin italian që janë mbyllur para se të shpallej gjendja e jashtëzakonshme. Baret, restorantet, mijëra aktivitete në zonën turistike që duhet të hapeshin në këtë periudhë janë tërësisht të mbyllura. Edhe ato që kanë funksionuar i kanë nxjerrë punëtorët të papunë për shkak se nuk kanë më mundësi pagese prej mungesës së likuiditetit.

Ndjekim materialin.

K.H.