Çështja e kthimit të Behgjet Pacollit nga Zvicra në Kosovë, në këtë kohë pandemie ka sjellë përplasjen e radhës mes Presidentit Hashim Thaçi dhe kryeministrit në detyrë të Kosovë, Albin Kurti.
Në një postim të martën në rrjetin social, Twitter, Pacolli ka akuzuar Qeverinë në detyrë të Kosovës se nuk po e lejon të kthehet nga Zvicra në Kosovë për të kryer detyrat e tij “si deputet i zgjedhur në mënyrë demokratike”.
“Kjo është një pengesë direkte ndaj demokracisë sonë parlamentare dhe tentim për të penguar zgjedhjen e qeverisë së re. Turpëruese”, ka thënë ai.
Por, ministri i Brendshëm në detyrë, Xhelal Sveçla në një konferencë për media ngriti dyshime se presidenti Thaçi gjatë ditës së djeshme gjatë një udhëtimi në Shqipëri e ka takuar deputetin Behgjet Pacolli.
“Mbrëmë vonë jam informuar nga ana e policisë kufitare që presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka kaluar kufirin shtetëror pak para orës 18:00 në drejtim të Shqipërisë. I njëjti është kthyer në Kosovë, pak pas orës 19:00, kur eskorta e presidentit është ndaluar është konstatuar se në veturën e dytë ndodhet presidenti”, ka thënë Sfeçla.
“Presidenti ishte ulur në ulësen e parë. Policia për shkak të xhamave, nuk ka mund të dallojë a ka edhe persona të tjerë ulur prapa. Tash është konfirmuar se protokolli i shtetit përkundër dispozitave ligjore nuk është njoftuar për vizitën e Presidentit”.
Megjithatë sipas tij nuk ka konfirmim se presidenti Thaçi ka qenë i shoqëruar nga Pacolli. Sipas tij, nëse një skenar i tillë është i vërtetë paraqet mosrespektim të plotë të organeve të vendit. Ndërsa ka paralajmëruar ndërmarrjen e masave ndaj tij.
“I kërkojmë z. Pacollit të përgjigjet dhe të tregojë se ku është. Nëse ai shfaqet në publik në një moment të caktuar policia do të ndërmarrë masa në bazë të legjislacionit në fuqi”.
Ndërkohë të mërkurën mbrëma presidenti Thaçi në një lidhje telefonike për “Tv Dukagjini” ka thënë se që nga çlirimi i Kosovës nga Shqipëria në Kosovë ka hyrë në procedura të njëjta.
“Nëse u intereson Sveçlës dhe Kurtit lokacioni im, unë jam në shtëpi. U bëj thirrje atyre të mos krijojnë konfuzion, shpifje dhe marrëzira dhe të mos kërcënojnë njerëz të politikës e as deputetë, e në këtë rast as zotin Pacolli”.
I menjëhershëm ka qenë reagimi i Kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, i cili përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ka thënë se udhëtimi i presidentit Thaçi “pa protokoll e në kundërshtim me masat e marra ndaj pandemisë COVID-19, është shembull i keq që qytetarët nuk bën ta ndjekin”.
“Sa për sharjet e fyerjet që m’i bën, duke thirrur me zërin që i dridhet porsi kalama nëpër studiot televizive, e kam zgjidhjen: le ta organizojmë një debat televiziv ku dalim ne të dy, pra, unë Kryeministri në detyrë dhe ai Presidenti jashtë detyrës. Nëse do, le ta marrë me vete edhe Behgjet Pacollin. Në atë rast, po, edhe unë po e marr Xhelal Sveçlën e Rashit Qalajn”, ka shkruar Kurti.





