Në familjen e 2 vëllezërve Haxhia në Spitallë të vrarë dy ditë më parë janë hapur dyert e mortit. Dy djemtë e vetëm të familjes janë larguar në mënyrën më tragjike nga jeta.
Vrasja e dy djemve ka ardhur një muaj para se te fejohej vellai i dytë, më i vogli, Viktori.
Fejesa ishte lënë për në fillim të muajit qershor. Ai madje ishte emëruar edhe pedagog i asociuar në UAMD, thanë familjarët të cilët kjo ngjarje i ka shokuar.
Daja i viktimave, Nikollë Preci mes dhimbjes por edhe i indinjuar mbi komentet mediatike që janë bërë, pasi ata thekson ai, po flasin më shumë se ç’dinë.
Në këtë situatë kur kësaj familjeje i është mbyllur dera, ata kërkojnë nga shteti vetëm që të zbardhet e vërteta mbi vrasjen mizore të dy nipërve të tij.
Preci thekson se ata e kanë filluar me varfëri jetesën në një lagje periferike të qytetit dhe se kanë punuar vetëm me punë të pastra dhe me asnjë biznes jo të ligjshëm.
“Situata është shumë e vështirë, djemtë kanë ardhur me hallet e tyre si të gjithë nga Puka, për t’u rregulluar këtu. Si të gjithë njerëzit dhe ata nisën punë në moshën 20-vjeçare. Njëri merrej me tregti makinash, ndërsa tjetri mbaroi shkollën e lartë për juridik dhe më pas hapi biznes Exchange. Deri tani nuk kemi asnjë version për ngjarjen, por ju lutem mediave të mos vazhdojnë duke na rënduar më shumë.”, thotë daja.
Ndërkohë që bën me dije se ata nuk kanë asnjë shkak dyshimi ose informacion për autorët e krimit të rëndë.
Babai i viktimave, Kola mes dhimbjes së papërshkrueshme thotë se ka punuar me djemtë si mekanik në sevis makinash, lavazh etj.
Ai thotë se për bizneset e tyre kanë marrë disa kredi në banka dhe më e fundit ka qenë një vlerë prej rreth 40. 000 eurosh, të cilën i duhet ta shlyejë pasi kishte lënë shtëpinë peng.
Kola kërkon nga shteti që të zbardhet e vërteta, ndërsa mediat të mos i shqetësojnë e rëndojnë më shumë atë që po kalon familja me variantet e dyshimta që sjellin.
“Kam marrë 40 mijë euro kredi për djemtë që t’i ndihmoja në biznes dhe kam lënë shtëpinë si garanci. Besmiri dhe Tori kishin hapur nje servis makinash në të cilin punon, kishin hapur dhe një lavazh. I bëj thirrje medias që të mos hedhin baltë mbi djemtë e mi. Të lënë policinë ta zgjidhë.”, thotë ai.
K.H.





