Arrestohet autori i vrasjes së dyfishtë në Lezhë, i Kol Murranit dhe Preng Simonit,  të cilët u gjetën të vrarë dje në një zonë malore në Lezhë.

Autori i dyshuar është Aleksander Perdoda, i cili ka pranuar krimin.Policia e Lezhës jep detaje për arrestimin e autorit të vrasjes së dyfishtë në Lezhë, ndërkohë që ka shpallur në kërkim vëllain e tij, për përkrahje të autorit të krimit.

 Kol Murrani, rapsod i njohur në zonë dhe Preng Simoni u vranë dje në mesditë dhe trupat e tyre janë gjetur pa shenja jete rreth orës 16:00.

Dyshohet se shkak i vrasjes së dyfishtë të jenë konflikte të vjetra pronësie mes Kol Murrani dhe një bashkëfshatari të tij.

Marrja në pyetje e të dyshuarve ka vijuar gjatë gjithë natës së mbrëmshme.

Kol Murrani nuk rezulton me të shkuar kriminale dhe njihet nga shumë banorë të zonës. Siç u raportua edhe dje, Kol Murrani bashkë me shokun e tij, Preng Simoni kishin dalë që në mëngjes për të shkuar tek shtëpitë e vjetra. Ata u gjetën në një kodër nga i biri i një prej viktimave që ka lajmëruar dhe Policinë. Kjo e fundit, pasi shkoi në vendngjarje, ka gjetur afër vendit të krimit edhe një motorr që dyshohet se i përket autorit të krimit, ndërsa në zonë është gjetur edhe një korrëse bari.

NJOFTIMI I POLICISË

Zbardhet ngjarja e ditës së djeshme në pyllin e fshatit Lalm Lukaj, ku u gjetën të vrarë me armë zjarri shtetasit K. M. dhe P. S.

Identifikohet dhe arrestohet autori kryesor i dyshuar i vrasjes së dyfishtë dhe shpallet në kërkim vëllai i tij, për përkrahje të autorit të krimit.

Në lidhje me ngjarjen e ndodhur në pyllin e fshatit Lalm Lukaj, Lezhë, ku u gjetën të vrarë me armë zjarri shtetasit K. M. dhe P. S., Policia ngriti një grup të posaçëm hetimor për zbardhjen e kësaj ngjarjeje, i përbërë nga specialistët e Krimeve të Rënda në DVP Lezhë dhe specialistë nga Departamenti i Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lezhë. Në ndihmë të Policisë vendore shkuan edhe grupe të FNSH Shkodër.

Si rezultat i veprimeve të shpejta profesionale dhe hetimore, u bë i mundur sigurimi i provave për autorin e dyshuar të kësaj ngjarjeje, shtetasi A. P., 40 vjeç, banues në Lalm, Lezhë, person me precedent kriminal në fushën e krimeve ndaj personit.

Bazuar në prova të arsyeshme, Policia bëri kapjen dhe shoqërimin e shtetasit A. P. dhe në përfundim të veprimeve u bë ndalimi i këtij shtetasi, për veprën penale “Vrasja”.

Po në lidhje më këtë ngjarje është shpallur në kërkim edhe vëllai i autorit të dyshuar, shtetasi E. P., i cili dyshohet se ka ndihmuar të vëllanë për fshehjen e provave.

Nga tërësia e veprimeve dyshohet se ky shtetas i ka qëlluar me armë për arsye pronësie, pasi pretendon se pjesa ku ka ndodhur krimi është pronë e tij.

Policia e Qarkut Lezhë vijon kontrollet intensive për gjetjen dhe kapjen e shtetasit E. P., si dhe vijon kontrollin e territorit përreth për gjetjen e armës së krimit.