Faqja zyrtare e teatrit “Aleksandër Moisiu” në Facebook ka ndarë me ndjekësit një kuplet-parodi të aktorit të njohur të humorit, durrsakut Muharrem Hoxha.

Ky i fundit, prej dy muajsh qëndron në qytetin e Pogradecit për shkak të pandemisë, ku ka realizuar një këngë parodi nga e përditshmja e tij gjatë kësaj situate.

“Lutju Zotit veç shëndet, mos u hiq si trim me fletë. Se ky virus nuk të pyet, është armik dhe të vret.“, thotë aktori Hoxha ndër të tjera në këngën parodi të titulluar “E kruajta vetë”.

“Durrsaku ynë simpatik, Mjeshtri i Madh, Muharrem Hoxha, në këto kohë të vështira, del nga “ngujimi” në Pogradec dhe na dërgon një kuplet-parodi nga e përditshmja e tij. I urojmë shëndet dhe vetëm të qeshura.”, shkruhet në postimin e teatrit të Durrësit.

Në një situatë kaq shqetësuese për botën, pak humor nuk do i bënte keq askujt ndaj shijoni më poshtë këngën parodi të Mjeshtrit të Madh!