Të blej bukë për tre ditë, apo vetëm për një ditë?!
Të blej perime, fruta dhe ushqime për deri të hënën, apo vetëm për të premten?!
Kjo ishte dilema që karakterizonte shumë qytetarë, që kishin dalë sot të bënin pazar.
Të gjithë ishin gjithë sy e veshë nga ERTV-ja për daljen live të kryeministrit Rama, i cili që nga fillimi i pandemisë vendos vetë për daljen apo jo të popullit dhe me ferman në Facebook njofton lirimin apo shtrëngimin e rripit të masave kufizuese.
Ata që kishin blerë bukë vetëm për sot, të shtunën e të dielën mund edhe të agjërojnë, pasi vetë Rama e ka rekomanduar këtë gjë, jo vetëm tani që është muaji i Ramazanit, por që nga fillimi i pandemisë kur njerëzit nisën të trashnin pak belin nga izolimi e karantina e zgjatur.
Kur kishte mbetur më shumë sesa dy orë nga limiti i liridaljes, ora 17.30, Rama u shfaq dhe i komunikoi popullit vigjilent ndaj fjalës së liderit se fundjava ishte e gjitha në karantinë.
Kaq u desh që njerëzit të dyndeshin në markete lagjesh apo supermarkete për të blerë ushqime për karantinimin 60 orësh. Pati dhe nga ata që mbetën pa bukë, sepse furrat kishin prodhuar vetëm për një ditë. Mund ta kalojnë fundjavën me petulla, makarona apo bukë të bërë në shtëpi, por edhe mund të hanë me racion se fundja në luftë jemi, pavarësisht se armët si kemi rrokur në duar.
Kështu ndodh kur edhe komandën për të blerë bukën, produktin më të konsumuar në tryezat tona, duhet ta marrim nga një komunikim live i kryeministrit Rama.
Jetojmë në kohën e koronavirusit, por edhe në kohën kur lëvizja e gjithsecilit prej nesh varet nga humori i kreut të ekzekutivit. 5 ditë mbushim rrugët, lagjet, tregjet etj, pastaj na urdhërojnë të kyçemi brenda 2 ditë, sepse po luajmë kukafshehti me virusin korona.
Ndërsa kryeministri po luan me nervat tona…
M.B.