Ashtu siç ishte njoftuar një ditë më parë nga kryebashkiaku i Shijakut, Elton Arbana, sot ka nisur shembja e tre shkollave të dëmtuara rëndë nga tërmeti shkatërrimtar i 26 nëntorit 2019.

Mësohet se ka nisur shembja e gjimnazit “16 Shtatori”, shkollës 9-vjeçare “Lidhja e Prizrenit” dhe kopshtit të qytetit përfshi edhe një shkollë tjetër në njësinë administrative Maminas.

Pas Durrësit dhe Thumanës qyteti Shijakut ishte më i prekuri nga tërmeti shkatërrues i 26 nëntorit.

Këto objekte do të rindërtohen nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit që ka organizuar edhe tenderat përkatës. Shijaku bëhet qyteti i parë nga ku nis puna konkrete për të rindërtuar shkollat e dëmtuara rëndë.

“Nisim nga shkollat fazën e Rindërtimit, për Shijakun krejtësisht të ri që do të ketë; tre shkolla të reja, kopsht, çerdhe, parqe publike, bibliotekë, 30 pallate të reja dhe 800 banesa të rindërtuara” – tha ditën e djeshme kryebashkiaku Arbana.