Këshilli Bashkiak i Durrësit në mbledhjen online të ditës së sotme i ka hapur rrugë prishjes së objekteve të cilat kanë dalë të pabanueshme nga tërmeti i 26 nëntorit.
Në mbledhjen e radhës ka qenë lista e parë prej 12 objektesh, private dhe publike të miratuara për t’u shembur nga Inspektoriati Ndërtimor Urbanistik.
Burime zyrtare nga bashkia e Durrësit bënë me dije se IKMT në Durrës ka çuar për ekspertizë të thelluar 67 objekte, të cilat kanë dalë të pabanueshme pas tërmetit të 26 nëntorit.
Lista paraprake e sjellë nga Tirana përfshin 12 objekte private dhe 2 qendra shëndetësore në zonën e Ishmit për t’u prishur.
Burimet nga bashkia thanë se është një numër i lartë objektesh pallatesh dhe banesash të ulëta për të cilat pritet ekspertiza e thelluar, para vendimit nëse do të shemben apo të rikonstruktohen.
Pritet që nga vendimi i zbardhur i Këshillit Bashkiak të bëhen me dije edhe objektet që do të shemben.
Pas tërmetit të 26 nëntorit, për javë me radhë deri në fillim të pandemisë COVID-19, pati një numër të madh banorësh në të gjithë qytetin e Durrësit që protestuan në lidhje me objektet e banimit.





