Ndalohet një 30-vjeçar, i shpallur në kërkim për veprën penale “Shpërdorim detyre” në lidhje me dosjen “Tërmeti” në Durrës.
Specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës, krahas monitorimit për zbatimin e masave kufizuese, me qëllim parandalimin e përhapjes së COVID-19 dhe në vijim të punës për kapjen e personave në kërkim dhe vënien e tyre para përgjegjësisë penale, në kuadër të “Kryerjes së veprimeve për dokumentimin e paligjshmërisë dhe mbledhjen e provave në objektet e shkatërruara dhe të dëmtuara nga tërmeti” ndaluan shtetasin:
A. Dakovelli, 30 vjeç, banues në Durrës.
Për 30-vjeçarin, shef sektori në Kadastrën e Durrësit, Gjykata e Shkallës së Parë Durrës ka dhënë masën e sigurisë “Arrest me burg”, për veprën penale “Shpërdorim detyre”.
Në janar, dy muaj pas tërmetit të 26 nëntorit 2019 në Durrës, nga hetimet që nisën me shumë vrull nga katër prokuroritë e rretheve Durrës, Tiranë, Krujë dhe Lezhë, u konkretizuan dy operacione policore, ku në total u arrestuar 38 persona, ndërsa u shpallën në kërkim disa zyrtarë dhe përgjegjës të tjerë që kanë abuzuar me detyrën në miratimin e lejeve të ndërtimit dhe zbatimit të planimetrive urbanistike në terren.





