Zhuljen Varfaj, kryetari i komanduar i bashkisë së Durrësit, ka dhënë dorëheqjen për arsye shëndetësore.

Në letrën zyrtare ku ka paraqitur dorëheqjen e parevokueshme nga detyra e kryetarit të bashkisë së Durrësit, Zhuljen Varfaj sqaron se gjendet para një situate krejtësisht të pa favorshme, madje me rrezik të shtuar për shëndetin e tij

Letra e dorëheqjes së kryetarit të bashkisë së Durrësit, Zhuljen Varfaj:

Sot me dt 23.04.2020, Unë Zhuljen Ago Varfaj,
Me detyrë Zëvendës Kryetar i Bashkisë  Durrës i emëruar me vendim të Këshillit Bashkiak Durrës nr-dt- për të ushtruar detyrat si dhe funksionet e Kryetarit të Bashkisë së Durrësit, i gjendur
para një situate krejtësisht të pa favorshme, madje me rrezik të shtuar për shëndetin tim, parashtroj dhe jap dorhëheqjen time të pa revokueshme nga detyra dhe funksionet e ngarkuara.

Do të dëshiroja të falenderoja dhe të vlerësoja me mirënjohje Këshillin Bashkiak të Durrësit për besimin dhe mbështetjen e dhënë nga çdo anëtar i tij, bashkëpunëtore e bashkëpunëtorë të mi të administratës së Bashkisë Durrës, që në këtë periudhë të vështirësive të mëdha për Durrësin kanë dhënë dhe bërë më të mirën e tyre në zgjidhjen e shumë problematikave dhe kërkesave të qytetarëve të Durrësit.

Me respekt, Zv/Kryetar, Zhuljen VARFAJ

Sipas burimeve, pritet që në krye të bashkisë Durrës të zgjidhet Emirjana Sako, e cila më herët ka mbajtur postin e Drejtores së Shërbimeve dhe prej rreth 2 muajsh është emëruar zv. kryetare e Bashkisë.

Në fakt kjo dorëheqje e Varfajt pritej të ndodhte në muajin prill, për shkak të problemeve shëndetësore dhe një ndërhyrjeje që pritet të realizojë në këtë periudhë. Kujtojmë se Varfaj ishte me raport mjekësor në kohën kur tërmeti me magnitudë 6.4 goditi Durrësin dhe u kthye në detyrë për të marrë “frerët” e qytetit, megjithëse nuk e kishte përfunduar periudhën një mujore të pushimit të këshilluar nga mjekët.