Kryebashkiaku i Shijakut, Elton Arbana ka bërë të ditur se nesër do të nisë shembja e tre shkollave të dëmtuara rëndë nga tërmeti shkatërrimtar i 26 nëntorit 2019.

3 shkollat që do të shemben të enjten janë dy në Shijak dhe një në Maminas. Ekspertët e Institutit të Ndërtimit, pas akt-ekspertizës në këto objekte shkollore, arritën në konkluzionin se duhen ndërtuar nga e para.

“Ky është një premtim i mbajtur i kryeministrit Rama për Shijakun. Shkollat janë jo vetëm ambientet ku fëmijët tanë kalojnë një pjesë të ditës, por mbi të gjitha vendi ku ata formojnë një pjesë të personalitetit, ku socializohen, ku përgatiten për të qenë qytetarë të denjë të së ardhmes, ku stimulohen drejt talenteve dhe potencialit që ka çdokush. Shkollat, kopshtet, çerdhet janë shumë të rëndësishme, sepse aty shkojnë fëmijët tanë, për këtë qeveria shqiptare investon për shkollat e dëmtuara nga tërmeti”,- thotë kryebashkiaku Arbana.

Shijaku ishte një nga qytetet më të dëmtuara nga lëkundja sizmike me magnitudë 6.4 Rihter. Shumë objekte publike, por edhe godina private pësuan dëmtime të shkallës DS4 dhe DS5 dhe për këtë arsye në bashkinë e Shijakut dhe njësitë administrative u zhvilluan dëgjesat publike ku banorët u njohën nga afër me procesin e rindërtimit, që pritet të nisë së shpejti.

“Nisim nga shkollat fazën e Rindërtimit, për Shijakun krejtësisht të ri që do të ketë; tre shkolla të reja, kopsht, çerdhe, parqe publike, bibliotekë, 30 pallate të reja dhe 800 banesa të rindërtuara” – vijoi më tej kryebashkiaku Elton Arbana, duke nënvizuar se ku ka vullnet, ka zgjidhje!