Gjendja e jashtëzakonshme ka vënë në dilemë të madhe ekzistenciale biznesin në Durrës. Më të prekur janë bizneset e fasonerisë dhe të Hoteleri-Turizmit.

Ndërsa në Zyrën e Punës janë dyndur të papunët për t’u rregjistruar e të përfitojnë asistencë, biznesi në Durrës është në pritje.

“Në hall është edhe pronari në hall edhe punëtori. Pronarët nuk duan të shkarkojnë punëtorët nga puna. Biznesi është duke parë mundësitë nëse do të shkarkojë punëtorët e të përfitojë pagën e luftës 260 mijë lekë, apo bonusin 400 mijë lekë, apo do të mbyllin fabrikën e të shkurtojnë fuqinë punëtore, që këta të përfitojnë pagesën e papunësisë që jepet nga Zyra e Punës”, kështu tha Indrit Buka drejtori i Zyrës Rajonale të Punësimit, në një prononcim për “DurrësLajm”.

Zyra e Punës trajton vetëm pagesën e papunësisë, ndërsa pagën 400 mijë dhe pagën e luftës duhet të aplikojnë online në E-Albania e trajtohen nga Tatim-Taksat.

Për të përfituar asistencën ose pagesën e papunësisë çdo punëtor ka 60 ditë kohë për t’u bërë pjesë e skemës. Për tre muajt; mars, prill e maj, pagesa e papunësisë që është sa 50% e pagës minimale, është përfituar në vlerë 100% nga  përfituesit.

Deri tani numri i punëkërkuesve në Zyrën Rajonale në Durrës ka shkuar në 4753 persona. Buka tha se Zyra e Punës po punon online, nuk i mohohet e drejta askujt për t’u rregjistruar si punëkërkues.

“Ne i marrim në telefon dhe i rregjistrojmë në sistem. Kemi dyndje të madhe. 100 persona vijnë nga portali “E-Albania” çdo ditë. Kemi komunikuar me bizneset si bashkëpunëtorë. Biznesi është në vështirësi të madhe si pasojë e pandemisë. Biznesi që punon me Italinë kanë pezulluar aktivitetin, ndërsa me Gjermaninë apo shtete të tjera ka patur vështirësi por nuk është bllokuar”, tha Buka.

K.H.