Pandemia ka futur në kolaps ekonominë durrsake.
Si rezultat i bllokimit të aktiviteteve të biznesit, prej datës 10 mars, qindra deri në mijëra punëtorë gjenden në udhëkryq drejt të një ardhmeje krejtësisht të panjohur.
Shumë qytetarë të mbetur të papunë e të ngujuar në banesa për shkak të pandemisë COVID- 19, janë dyndur para zyrës Rajonale të Punësimit në Durrës, me shpresë se do të përfitojnë nga skemat ndihmuese dhe paketat e prezantuara nga kryeministri Edi Rama.
Para Zyrës Rajonale të Punësimit çdo ditë vijnë kryesisht ata që kanë mbetur të papunë, që prej 12 marsit, por edhe ata që më herët kanë punuar në punë të zezë, të cilët kërkojnë të rregjistrohen si të papunë për të përfituar asistencë ose pagën e papunësisë.
Mesatarisht çdo ditë aplikojnë online nëpërmjet portalit E-Albania 100 punëkërkues, të cilët rregjistrohen në këtë zyrë, ndërsa ata që nuk dinë apo nuk kanë mundësi të rregjistrohen online paraqiten pranë Zyrës Rajonale të Pubësimit.
“Jemi pa punë, rrobaqepsia është mbyllur na kanë hequr nga puna, e nuk dihet çdo të bëjmë. Kam ardhur këtu të rregjistrohem si e papunë, mbase përfitoj”, thotë një grua.
Një zonjë tjetër thotë se ka punuar si punonjëse shërbimi në një shtëpi, por pasi u shpall gjendja e jashtëzakonshme mbeti e papunë.
“Kam qenë e pasiguruar, tani kam ardhur të rregjistrohem si punëkërkuese, sepse jam pa punë“, thotë zonja.
“Kam bërë punë të ndryshme ku të dilte, kam punuar bojaxhi, dhe bëja edhe punë të tjera ku gjeja. Tani që jemi izoluar kemi mbetur krejtësisht pa punë pa të ardhura. Ndaj jemi te Zyra e Punës se duam ndihmë”, thotë një banor i Durrësit.
Numri i punëkërkuesve është rritur në mënyrë drastike javët e fundit. Janë me dhjetëra fabrika kryesisht fasone që fabrikat mëmë i kanë në shtetin Italian që janë mbyllur para se të shpallej gjendja e jashtëzakonshme.
Baret, restorantet, mijëra aktivitete në zonën turistike që duhet të hapeshin në këtë periudhë janë tërësisht të mbyllura.
Edhe ato që kanë funksionuar i kanë nxjerrë punëtorët të papunë për shkak se nuk kanë më mundësi pagese për shkak të mungesës së likuiditetit.
K.H.





