Fasoneritë dhe fabrikat që punojnë kryesisht për tregun e huaj nuk janë mbyllur me vendim qeverie në këtë kohë të pandemisë së koronavirusit.
Vatra e shfaqur në një fasoneri në Krujë ka detyruar strukturat e shtetit që prej Inspektoriatit Shëndetësor Shtetëror, Inspektoriatit të Punës, të Shëndetit Publik etj, të ndërmarrin kontrolle urgjente në Durrës, ku operojnë një numër shumë i madh fabrikash me mbi 5 mijë të punësuar.
Shpërthimi i koronavirusit në një prej fasonerive në Krujë ka sjellë njëkohësisht edhe reagimin e biznesit në Durrës.
Nga kontrollet e ushtruara nga strukturat e shtetit për plotësimin e masave kryesisht të distancës së punëtorëve, një fabrikë këpucësh është gjobitur me 500 mijë lekë.
Vendosjen e gjobave biznesi e konsideron krejtësisht të padrejtë, pasi sipas tyre fabrikat duhet të mbylleshin e të paguheshin punëtorët me pagën e luftës.
Bardhyl Murati pronar i një fabrike këpucësh, i cili punon për të tretë, ka kërkuar ndihmë nëpërmjet mediave në këto kohë të pandemisë nga koronavirusi.
Është firma e prodhimit të këpucëve “Xhuliano shpk” në Shkozet të Durrësit, e cila ka një traditë të gjatë bizsnesi.
Pronari i kësaj firme ka shprehur mendimin se biznesi fason duhet mbyllur nga ana e qeverisë, deri në momentin që bie vrulli i pandmisë, pasi në mjediset e kompanive me shumë punëtorë siç është rasti i këpucëve ka më shumë rrezik për t’u infektuar një numër i lartë personash.
Murati deklaroi se qeveria nuk i mbylli me ligj fabrikat e konfeksioneve për të mos paguar pagën e luftës, prej 26 mijë lekësh. Ai thotë se është gjobitur nga strukturat e shtetit, për shkak se nuk ka plotësuar disa kërkesa siç është distanca që duhet të mbajnë punonjësit gjatë punës.
“Është e pamundur pasi proceset teknike të punës janë të njëjta si në të gjithë Europën. Jemi përpjekur për të mbajtur higjienën e duhur, por nëse virusi bie në këto fabrika përhapet shumë më shpejt se në tregje ku kanë vendosur edhe porta dezinfektante”, thotë pronari i biznesit fason, i cili operon në Durrës që prej vitit 2012.
Murati shprehet se nuk kërkon ndihmë nga shteti, por të mos gjobitet pa asnjë shkak.
K.H.





