Edhe Bashkia e Durrësit pas asaj të Tiranës, ka vendosur pajisjen e dezinfektimit në hyrje të tregut të fruta-perimeve, ose siç quhet ndryshe tuneli i dezinfektimit, duke bërë që çdo hyrje-dalje në këtë treg të jetë tashmë e kontrolluar jo vetëm nga policia, por kusht i radhës është dhe dezinfektimi.

Çdo klient që do të futet në treg që prej ditës së sotme, do të duhet të kalojë përmes këtij tuneli me maskë, sy mbyllur dhe me krahë të hapur, dhe për afro 3-5 sekonda kryhet procesi i dezinfektimit.

Situata në vend sa i përket hapjes së aktiviteteve, po i rikthehet normalitetit nga java në javë, teksa ditën e djeshme u lejuan një sërë biznesesh të hapnin dyert pas më shumë se një muaji të mbyllur. Ndërsa të hënën e 27 prillit, pritet që të hapen dhe disa lloje të tjera biznesesh, ndër të cilat dyqanet me pakicë të veshjeve, këpucëve etj.

Një pjesë e qytetarëve në Durrës i janë rikthyer punëve të tyre duke u përpjekur që të kalojnë vështirësitë ekonomike që mund të hasin në këtë periudhë, ndërsa vlen të përmendet se prej pothuajse 1 jave, në qytet nuk janë shënuar raste të reja të prekura me Covid-19, ku aktualisht janë vetëm 41 të infektuar.