Emigranti shqiptar Petrit Arapi e ka humbur betejën me koronavirusin në Itali, vendin ku jetonte prej vitesh dhe kishte nisur gjithçka nga zero. Petrit Arapi ishte nga Durrësi dhe për shumë vite ka punuar në UMB, Shkozet, ndërsa në vitet e demokracisë kishte hapur një biznes të vogël privat.

Pas martesës së njërës prej vajzave në Itali dhe ndjekjes së studimeve të larta nga ana e vajzës tjetër në vendin fqinjë, Petriti vendosi me bashkëshorten të ndërtonin një jetë të dytë në tokën përtej Adriatikut.

“Ishte një njeri shumë punëtor, baba i dhembshur, bashkëshort shembullor dhe gjysh shumë i dashur. Ishte një familje shembull, një familje e qetë. Petriti punonte edhe 12 orë në ditë në një ndërrmarrje mekanike që të përballonte jetesën e nisur nga zeroja, këtu në emigrim. E jo vetëm në punë, por edhe kur ishte në shtëpi, nuk kursehej të ndihmonte familjarët”,- tregon Lumturi Plaku, ish-zv.presidente e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve në Itali.

Lumturija ka qenë për 13 vite me rradhë fqinjë në Piacenza me familjen Arapi dhe fakti që ishin të gjithë nga Durrësi i ka ndihmuar të forconin edhe më shumë lidhjet. Duke u ndalur tek prekja e Petritit nga koronavirusi, Lumturia rrëfen se ai ishte rikthyer një ditë nga puna me dhimbje koke dhe pak temperaturë.

“Ndenji dy javë në shtëpi me temperaturë të lartë, me takipirina e mjekime popullore. Pas dy javësh ju ul temperatura dhe dy ditë ishte shumë mirë. Të tretën ditë iu bllokua nga frymëmarrja dhe nuk i funksiononte oksigjeni. Pasi iu bllokua me frymëmarrja e mori ambulanca dhe e shtruan urgjentisht në spital. Pas gati dhjetë ditësh me oksigjen e intubuan. Petriti kaloi torturën e tubacionit dhe nuk mundi të shpëtonte prej kthetrave të virusit. E keqja e madhe e këtij virusi është se i sëmuri vdes i vetmuar, pa praninë e asnjë familjari pranë, ndërsa familja kalon këtë dhimbje të madhe vetëm, pa praninë e të afërmve dhe miqve”,- tregon Lumturia për DurrësLajm.

“Fatmirësisht, pavarësisht dhimbjes së madhe për humbjen e njeriut të dashur, familjarët e Petritit janë në gjendje të mirë shëndetësore”,– vijon rrëfimin e saj Lumturia, e cila edhe vetë është e prekur nga Covid-19, por deri tani po e kalon sëmundjen në shtëpi duke ndjekur me rigorozitet të gjitha këshillat që merr nga mjeku përmes telefonit.

Covid-19 ka goditur rëndë vendin fqinjë Itali duke shkaktuar qindra viktima çdo ditë, ndërsa numri total i të vdekurve ka mbërritur mbi 23 mijë persona. Ende nuk dihet saktësisht sesa emigrantë shqiptarë kanë humbur jetën në vendin fqinjë, pasi Ministria e Jashtme nuk ka dhënë një informacion mbi shqiptarët që kanë ndërruar jetë atje. Rreth dy javë më parë, DurrësLajm pasqyroi mbërritjen në portin e Durrësit të makinave funerale që sillnin në vendin tonë trupat e disa prej shqiptarëve që ndërruan jetë në dhe të huaj dhe do të prehen në vendin e tyre të lindjes.

M.B.