Gjatë 24 orëve të fundit janë testuar 233 persona të dyshuar me COVID-19, nga rezultatet e të cilave janë konfirmuar 22 raste pozitive me COVID19.

Në një deklaratë për mediat, Eugena Tomini nga Instituti i Shëndetit Publik, bën me dije se shkon në 584 numri i të prekurve.

Nga rastet e reja 3 janë në Shkodër, 2 raste në Tiranë. Ndërkohë vijon hetimi epidemiologjik dhe gjurmimi i kontakteve në vatrën e Krujës ku kanë rezultuar pozitivë 5 persona dhe në Kurbin ku kemi 12 raste të reja.  

Deri në këto momente janë testuar 5775 raste të dyshuara dhe prej tyre janë të konfirmuar pozitivë me COVID-19, 584 raste.

Gjatë 24 orëve të fundit, 13 pacientë të tjerë i janë shtuar listës së të shëruarve, duke e çuar numrin e të shëruarve nga COVID-19 në 327. 

Aktualisht në vendin tonë janë 231 persona të infektuar aktivë dhe përqindja e të shëruarve është më e lartë. Kjo tendencë tashmë vazhdon pa luhatje prej më shumë se një jave.

Deri sot, 26 qytetarë e kanë humbur betejën me këtë semundje megjithë përpjekjet e stafit mjekësor.

Ju informojmë se, në shërbimin infektiv aktualisht janë 35 të shtruar. 5 pacientë janë në terapi intensive.

Në spitalin COVID 2 “Shefqet Ndroqi”, janë 9 pacientë të shtruar. 5 pacientë janë në terapi intensive në gjendje të rënduar, ndërsa 4 pacientë janë në pavion.

Në dy spitalet COVID aktualisht po marrin shërbim 44 pacientë.

Harta e të prekurve nga COVID-19 zgjerohet në Kurbin, Krujë, Shkodër dhe Tiranë. 

Shpërndarja gjeografike e rasteve pozitive, është si vijon:

– Tiranë            253 raste

– Durrës            42 raste

– Lushnje          6 raste

– Elbasan          16 raste

– Fier                 36 raste

– Kavajë            9 raste

– Rrogozhinë     4 raste

– Korçë             19 raste

– Vlorë              5 raste

– Shkodër          99 raste

– Lezhë             14 raste

– Berat              2 raste

– Has                13 raste

– Krujë              23 raste

-Tropojë           4 raste

– Pukë               5 raste

– Mirditë           3 raste 

– Kukës           11 raste

-Mallakastër     1 rast

– Kurbin           19 raste

Pavaresisht luhatjeve në numrat ditorë të zbulimit të bartësve të virusit apo të sëmurëve prej tij, situata është njëlloj e kontrolluar. 

Treguesi i vërtetë është numri i të shtruarve në spitale, që vazhdon të mbetet në shifra të qëndrueshme. 

Në mënyrë që situata të vazhdojë të jetë e kontrolluar, është e rëndësishme që qytetarët të respektojnë masat e distancimit fizik, si e vetmja mënyrë e kufizimit të përhapjes së infeksionit.

Këto masa duhet të respektohen makimalisht edhe brenda rretheve familjare, duke shmangur vizitat tek të afërmit për çdo lloj arsye. 

Nëse keni shenja të sëmundjes COVID-19 telefononi numrin e urgjencës 127. Për çdo pyetje apo informacion rreth COVID-19 telefononi në linjën e gjelbër 0800 40 40.