134 shtetas shqiptarë kanë mbërritur mbrëmjen e kësaj të diele në atdhe, në kuadër të operacionit të riatdhesimit si pasojë e COVID-19.
Pas Stambollit dhe Romës, avioni i “AirAlbania” rreth orës 20 :15 të mbrëmjes së sotme ka sjellë në Shqipëri 134 shqiptarë, të cilët do të transportohen më pas në dy hotelet karantinë në Durrës, ku do të qëndrojnë aty për 14 ditë, si një masë parandaluese për përhapjen e COVID-19.
Ky është fluturimi i tretë i riatdhesimit të qytetarëve shqiptarë, ndërsa kosto e fluturimit dhe hotelit për t’u karantinuar prej 14 ditësh paguhet prej tyre. Që do të thotë, 100 euro u ka kushtuar fluturimi për ardhjen në shtëpi dhe 21 euro dita qëndrimi në hotel, nga të cilat 14 euro për strehimin do të paguhen nga shteti dhe 7 euro për ushqim nga vetë personi.
Deri më tani janë afro 150 persona të riatdhesuar përfshi studentët shqiptarë të mbetur në Turqi si dhe afro 110 shtetas pasditen e djeshme nga Roma, të cilët aktualisht janë vendosur në hotelet e Durrësit.





