Kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar bizneset që nuk janë në listën e e-Albania që të mos hapen ditën e nesërme, e ndërsa ka bërë me dije se nga 27 prilli do të hapet një bllok tjetër biznesesh, gjithmonë nëse kurba do të jetë në rënie.
Duke iu referuar disa informacioneve, sipas së cilit disa biznese kanë shpallur që do të hapen nesër, edhe pse nuk përfitojnë nga plani i masave lehtësuese, kreu i qeverisë i paralajmëron të kenë kujdes, në të kundërtën do të ndëshkohen.
Ndërkohë, sa i përket bizneseve në bllokun e parë, ato do të duhet që të marrin leje për ushtrim aktiviteti në e-Albania të cilën duhet ta disponojnë nga e marta e tutje për ushtrimin e veprimtarisë. Kjo leje merret vetëm njëherë dhe duhet të jetë e disponueshme në mjedisin e biznesit në rast se do të kryhet një kontroll.
Rruga që duhet ndjekur për të regjistruar biznesin në e-Albania
Nëse nuk keni një llogari ekzistuese të biznesit tuaj në e-Albania, lutemi të kryeni hapjen e saj duke u identifikuar si Administrator me kredencialet tuaja.
Klikoni butonin Regjistro një biznes.
Plotësoni të dhënat që Ju kërkohen.Për të gjeneruar vërtetimin, mjafton të identifikoheni në llogarinë e biznesit në e-albania me nipt-in tuaj dhe të përzgjidhni shërbimin “Vërtetim për aktivitet ekonomik të hapur”.
Pasi të klikoni butonin “Përdor”, menjëherë në ekran do t’ju shfaqen të dhënat e biznesit tuaj dhe mesazhi nëse subjekti Juaj lejohet ose jo të ushtrojë aktivitetin në këtë periudhë.
Klikoni butonin “Dërgo” dhe vërtetimi do të vijë menjëherë në adresën e email-it të biznesit që është regjistruar në platformën e-Albania.
Para se të mbyllni dritaren e konfirmimit në e-Albania, lutemi të lexoni me vëmendje protokollin e sigurisë, që duhet të zbatojnë bizneset e hapura.
Ruani veten, punonjësit Tuaj dhe konsumatorin!
Përdorni www.e-albania.al
MOSDISPONIMI I VËRTETIMIT SI BIZNES I MIRATUAR NGA MINISTRIA E SHËNDETËSISË APO MOSZBATIMI I PROTOKOLLIT PËRKATËS TË SIGURISË, SJELLIN PASOJA ADMINISTRATIVE DHE PENALE
Të gjitha aktivitetet do të lejohet të ushtrohen nën masa të rrepta sigurie, duke respektuar distancimin social, duke pajisur stafin me maska, doreza dhe dezinfektant, si dhe të organizohet puna me orare për të mos lejuar grumbullime të qytetarëve.





