Si dallëndyshet e para të pranverës, kanë mbushur me cicërimat e tyre të gjithë rrugët e sheshet e Durrësit, mijëra fëmijë të qytetit bregdetar.

Në fashën orare të përcaktuar, sot fëmijët e Durrësit patën një festë jo të vogël, pasi kishin gati një muaj të ngujuar. Në të gjithë sheshet, deri në bregun e detit, fëmijët vërshuan duke na bërë të përjetojmë një “një qershor” në mes të pandemisë së Covid-19.

Nënat që i shoqëronin thanë se fëmijët kanë dalë të hutuar, por ata mësohen shpesh dhe për ta kjo liri dalje ishte si një festë. Nënat thonë se fëmijët gjatë kësaj kohe që kanë qëndruar në shtëpi janë mërzitur, ndërsa izolimi i ka stresuar mjaft, por që dalja në ajër të pastër iu ka bërë mirë gjatë kësaj të diele. Vetë fëmijët thonë se janë hutuar kur dolën jashtë, por ata janë të sensibilizuar nga prindërit që vetëm duke u izoluar mund të mbroheshin nga virusi Korona.

Nënat thonë se izolimi ishte e vetmja mënyrë për të mos u infektuar dhe për të qëndruar të shëndetshëm.

K.H.