Ndërron jetë një pacient me Covid-19 tek Spitali Infektiv. Viktima është një 69-vjeçar që pak ditë më parë ishte transportuar nga Shkodra, pas përkeqësimit të gjendjes së tij shëndetësore. 69-vjeçari vuante edhe nga disa sëmundje të tjera bashkëshoqëruese, ndërsa ishte i prekur dhe nga Covid-19.

Ndërkohë në një reagim për mediat, Ministria e Shëndetësisë, sqaroi se 69-vjeçari ishte i prekur nga COVID19, por vdekja e tij ka ardhur si pasojë e sëmundjeve shoqëruese.

“Pacienti 69-vjeçar nga Shkodra që ka ndërruar jetë në spitalin infektiv, ka humbur jetën si pasojë e sëmundjes hemoragjisë cerebrale (aksidentit vascular hemoragjik).

69-vjeçari ishte prej 13 vitesh me tumor në kokë dhe kishte kryer 3 ndërhyrje. Kishte hemorragji cerebrale dhe ishte në gjendje të rëndë në koma.

Sipas spitalit infektiv, 69-vjeçari nuk ka ndërruar jetë si pasojë e COVID-19, pasi ishte bartës i virusit, por pa shenja të sëmundjes, (asimptomatik) dhe ka ndërruar jetë si pasojë e hemoragjisë cerebrale.
Ministria e Shëndetësisë i shpreh ngushëllime familjes së të ndjerit dhe informon se do të mbajë të informuar publikun për çdo zhvillim, ndaj lutemi t’i referoheni njoftimeve zyrtare.”
– thuhet në njoftimin e MSH-së.

Deri më tani në vend janë shënuar 548 persona të prekur dhe 302 persona e kanë fituar luftën me këtë virus. Harta e 9 rasteve të reja të shënuara brenda 24 orëve të fundit, është zgjeruar në Kurbin me 5 raste, Kukës me 2, e Tiranë e Fier me nga një rast.  Në dy spitalet COVID aktualisht po marrin shërbim 43 pacientë.