Pas një bllokimi thuajse 5 javor, mosha e tretë në Durrës më në fund ka mundur t’i gëzohet liridaljes.

Këtë fakt e ka shprehur me një postim të shoqëruar me foto edhe ish-gazetari mjaft i njohur në Durrës, Bujar Qesja.

“Foto të bëra në këtë të shtunë të 18 prillit 2020. Jemi në liridalje. Buzë detit të Currilave dhe pamje nga punimet në lungamaren fantastike të Durrësit”,– shkruan Qesja në postimin e tij.

Megjithëse në pension prej vitesh, Bujar Qesja vijon të mbetet mjaft aktiv në rrjete sociale, ku publikon rregullisht shkrime për figura të njohura të qytetit apo ngjarje që kanë shënjuar memorien kolektive të qytetarisë durrsake.