Zyra Rajonale e Mjedisit Durrës, një institucion që sot më shumë se asnjëherë tjetër është bërë për t’i qarë hallin, ka reaguar më në fund pas ndotjes mjedisore që ka shpëthyer si pasojë e derdhjes së qindra tonë naftë në zonën e Porto Romanos nga kompania Gega OIL.

Në një komunikatë për shtyp të shpërndarë për mediat, ky institucion i cili duhet të ishte krah interesave të publikut, ka dalë krah interesave të kompanisë private që derdhi naftën si pasojë e një incidenti dhe nuk u mor asnjë masë administrative ndaj saj nga inspektorët e mjedisit.

Këta inspektorë, pasi kanë insistuar të gjitha mediat për të marrë reagimin zyrtar se çfarë ndodhi që u mbushën me naftë kanalet e larta kulluese në të gjithë zonën e Porto Romanos, thanë se nuk ka asnjë ndotje, dhe kompania mori të gjitha masat.

Në fakt ishin banorët e zonës ata që u turrën të mbushin bidona e fuçi me naftë duke bërë pastrimin e kanaleve.

Zyra Rajonale e Mjedisit Durrës thotë se ngriti një pune një ditë më parë, pasi në Porto Romano ishin mediat që pasqyruan atë që po ndodhte.

Pasi banorët kishin mbushur me dhjetëra e qindra tonë naftë në kanale, ishte hidrovori i Porto Romanos, i cili po punon me kapacitet të plotë dhe sasinë që mbetej e ka shkarkuar në det.

Portali “DurrësLajm” ishte edhe brenda Hidrovorit ku të gjithë pompat kanë punuar me kapacitet të plotë këto ditë duke shkarkuar në Adtiatik naftën që ka ardhur nëpërmjet kanaleve kulluese.

Inspektorët e Mjedisit në deklaratën e shpërndarë për mediat më së shumti kanë bërë zëdhënësin e kompanisë private se sa të institucionit që përfaqësojnë, ndërsa paguhen nga taksat e shqiptarëve.

Ata thonë se kompania vendosi filtrate që nafta të mos përfundojë në det. Por në terren ishin gazetarët e në det nuk kishte asnjë filtër, mbase kompania i vuri për t’i fotografuar inspektorët e Mjedisit e për t’i hedhur hi syve popullit.

Në këtë kohë pandemie gjithçka po ndodh, dhe masakra me mejdisin është e fundit për të cilën i bëhet vonë strukturave të shtetit, të cilat po paguhen pavarësisht se shkojnë apo jo, e bëjnë apo jo detyrën.  

Një e mirë në gjithë atë reagim zyrtar ishte se grupi i punës së Mjedisit të paktën ka sqaruar se çfarë defekti pati kompania Gega OIL që shkarkoi qindra në mos mijëra tonë naftë në kanale.

Por këtu ka heshtur edhe Drejtoria e Tatimeve e cila duhet të nisë një kontroll mbi kompaninë për të sqaruar çfarë humbjesh ka kompania e sa ishte sasia e derdhur në tokë.

Reagimi i Agjensisë Rajonale të Mjedisit Durrës

Referuar shqetësimit të ngritur nga portalet, prefektit të  Durrësit dhe medias lidhur me ndotjen e mjedisit shkaktuar nga kompania e hidrokarbureve Gega Oil në zonën e Porto-Romanos,  Ishmput Durrës ngriti grupin e punës dhe shkoi në terren te depozitat kryesore të kompanisë. Kontaktoi me personat përgjegjës të kësaj kompanie dhe u diskutua për shkaqet që çuan këtë ndotje. Personat përgjegjës ishin të vetëdijshëm për ndotjen e shkaktuar, ku sqaruan se kishte ndodhur një incident gjatë furnizimit të depozitave kryesore nga anijet e shkarkimit pasi ishte dëmtuar valvula kryesore, për të cilën u morën masat dhe u riparua. Gjatë kësaj kohe kompania ka bërë pastrimin e territorit, ndërkohë inspektorët e mjedisit kontaktuan dhe me përfaqesues të hidrovorit ,të cilët konfirmuan që kanë marrë masat duke vendosur bumerat për filtrimin e ujit nga kanali për në det. Gjatë inspektimit nga ana e inspektoreve tanë është fotografuar dhe filmuar zona e ndotur.                             

Sqarim: Kompania Gega Oil në momentin që ka ndodhur ky incident ka vënë në dijeni Agjensinë Kombëtare te Mjedisit dhe te gjithë Instancat ligjzbatuese.

K.H.