Tregtarët e Tregut Industrial në Durrës janë hedhur në protestë pasi ju është refuzuar paga e luftës, e  premtuar më herët.

Drejtori i Tatimeve në Durrës ju ka kthyer përgjigje negative duke argumentuar se nuk përfitojnë as nga paketa e parë ekonomike e as nga paketa e dytë ekonomoke e qeverisë.

Tregtarët thonë se prej datës 10 mars janë të bllokuar e për pasojë kanë mbetur pa bukë për familjet e tyre.

Një tregtare i drejtohet kryministrit Edi Rama:

“A ha ti? A i ushqen fëmijët? Thonë do merrni ushqime e nuk kemi marrë gjë. Kryeministri a rri tre javë pa ngrënë? Ku i ka fëmijët kryeministri? Sa e ka rrogën e tij ai? Unë jam pa lekë për bukë.”

“Ministri Ahmetaj thotë që ju takon këta këtu na thonë nuk ju takon. Paga e luftëska kaluar vetëm 10%. Ne jemi të licensuar e jemi taksapagues të rregullt. Kemi fëmijët pa bukë. Nuk kërkojmë asnjë gjë që nuk na takon. Duam vetëm atë që na takon,” thotë një tregtar tjetër.

“Ne kemi hapur llogari bankare dhe na thanë që do marrim pagën minimale prej 260 mijë lekësh. Çfarë do bëhet me ne? Ai tha jam baba i Kombit dhe burrë shteti, të mbajë fjalën. Ne duam 1/8 e një page që merr një zyrtar sa për bukë.”

Në Durrës janë rreth 1300 tregtarë të licensuar që operojnë në tregjet industriale.

K.H.