Prej ditës së djeshme ka nisur aplikimi për riatdhesim, nga ana e shtetasve shqiptarë që mbetën të bllokuar në vendet e Bashkimit Europian gjatë pandemisë Covid-19.
Ministria e Energjisë dhe Infrastrukturës bëri të ditur se të gjithë të interesuarit duhet të hyjnë në faqen Airalbania.com.al dhe më pas në rubrikën Riatdhesime.
Qytetarët duhet të klikojnë në linkun e hoteleve, të cilat janë transformuar në struktura karantinuese Covid-19.
Pasi të keni lexuar formularin e kushteve të karantinimit dhe vetëm pasi të shtypni butonin PRANOJ, do të mund të zgjidhni dhomën për qëndrimin 14-ditor.
Nga të dhënat e MEI, mësohet se aktualisht në dispozicion janë vendosur dy hotele karantinë në zonën e Golemit. Në dispozicion janë hotelet “Horizont” dhe “Sun”, të cilat kanë kthyer në punë personelin e tyre për të përgatitur ambientet që më pas do të dezinfektohen.
Ata që do të riatdhesohen mund të zgjedhin dhomën, në bazë të numrit të personave dhe fëmijëve që kanë.
SI TË APLIKONI PËR T’U RIATDHESUAR
Pagesa për 14 ditë karantinimi
Kosto ditore e qëndrimit tuaj në karantinë është vlerësuar 21 euro personi në ditë, nga të cilat 14 euro, janë akomodim dhe fjetje që do të mbulohen nga Qeveria Shqiptare, ndërsa kosto ushqimore ditore prej 7 eurosh, do të mbulohet nga vetë personi.
Pasi të kryeni pagesën elektronike prej 98 eurosh, sistemi do të prodhojë vërtetimin e rezervimit tuaj, në të cilin do të gjeni një kod unik, që do t’ju shërbejë për rezervimin e biletës.
Kthehuni në faqen Airalbania dhe me kodin unik që morët nga vërtetimi i akomodimit në karantinë, procedoni me rezervimin e biletës së avionit.
Pasi të keni përfunduar të gjithë procesin e rezervimeve do të jeni të gatshëm për të udhëtuar, sigurisht nëse dokumentacioni juaj identifikues është i vlefshëm dhe i plotë.
Destinacionet
Këshillohuni me ambasadat shqiptare në vendet ku ndodheni, për probleme të dokumentacionit identifikues.
Airalbania, e cila nis fluturimet këtë të shtunë drejt Romës, do të fluturojë gjithashtu në Milano, Bari, Frankfurt, Paris dhe Londër.
Çmimi biletës
Detajet e sakta për çdo fluturim do t’ju bëhen me dije nga Air Albania.
Çmimi i biletës së avionit varion sipas numrit të miljeve të fluturimit dhe aeroportit ku Air Albania do të ulet, por ju sigurojmë se Air Albania do të aplikojë çmime minimale thjesht për të mbuluar një pjesë të kostove të këtyre fluturimeve. Bileta nga Roma në Tiranë kushton 100 Euro.
Për çdo informacion shtesë, apo paqartësi që keni, drejtohuni në faqet zyrtare dhe përdorni numrat e telefonit të vendosura në dispozicion nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë.
*Mësohet se interes ka pasur dhe nga qytete të tjera të Europës që nuk janë në listën e publikuar paraprakisht të fluturimeve. Ndërkohë me rritjen e kërkesave pritet që të shtohen dhe njësi të tjera akomoduese për karantinim në bregdetin e Durrësit.





