Për t’u ardhur në ndihmë qytetarëve të dëmtuar nga tërmeti, emrat e të cilëve janë përfshirë në 3 listat e miratuara me vendim të Këshillit Bashkiak Durrës, bashkia ka futur online një shërbim të ri, duke nisur nga dita e sotme.
Ju mund të mësoni për statusin e aplikimit tuaj, kalimin e kësteve të bonusit etj duke klikuar në këtë link:http://79.106.166.6:30100/websites/bonusi/kontroll.php
Nga telefoni apo kompjuteri juaj, ju mjafton të fusni ID e personit që i është miratuar emri në njërën nga 3 listat dhe do t’ju shfaqen të gjitha të dhënat.
Mund të mësoni jo vetëm për këstet e kaluara në llogarinë tuaj bankare, por edhe pse nuk e keni përfituar deri tani subvencionimin e qirasë. Për secilën dosje shihet gjendja aktuale e trajtimit të saj.
“Mangësi dokumentacioni” – Në rastet kur dosja nuk është e plotë.
“Në proces likujdimi” do të thotë se dosja ka kaluar në drejtorinë e financës për pagesën e bonusit.
“Likujduar kësti” shënon fazën kur pagesa e këstit është kaluar në bankë.
Bashkia e Durrësit ka bërë të ditur se rreth 1500 persona nuk e kanë përfituar bonusin, 420 prej të cilëve të skualifikuar pasi shtëpia e tyre ka dalë e banueshme dhe pjesa tjetër për mungesë dokumentacioni.
Vetëm me një klikim nga telefoni apo kompjuteri, personat që nuk e kanë përfituar ende mund të mësojnë më shumë lidhur me dokumentin e munguar në dosjen respektive.
Sipas bashkisë, ky shërbim online do t’u evitojë qytetarëve sorrollatjet e kota, qëndrimin në rradhë etj. Ky shërbim vjen në një kohë kur vendi ynë ka hyrë në javën e 5-të të pandemisë Covid-19 dhe shumë shërbime po kthehen online për të evituar grumbullimet e qytetarëve dhe daljet e panevojshme.





