Kryetari i bashkisë së Shijakut Elton Arbana, koordinatorja rajonale e “Bashki të forta”, Eneida Marku dhe shefja e kabinetit të bashkisë, Marçela Deliallisi patën një takim online me maturantët e gjimnazit “16 shtatori” të Shijakut.

Gjatë komunikimit me maturantët, kryebashkiaku Arbana e vuri theksin në rëndësinë që merr në këtë periudhë qëndrimi në shtëpi.

“E di që të gjithë këtë periudhë po kalojmë një situatë të pazakontë, madje mosha juaj e ka të vështirë të qëndrojë në shtëpi, por të shpresojmë që dhe pak ka mbetur, ta kalojmë sa më shpejt këtë situatë” – u tha Arbana maturantëve.

Një nga pikat e diskutimit ishte mësimi online, sesa produktiv është për maturantët zhvillimi i procesit mësimor në këtë formë përgjatë 5 javëve në izolim.

“E di që keni ethet e provimeve. Ministria e Arsimit do të ketë një vëmendje maksimale për ta lehtësuar procesin, do të ketë një rishikim të programeve orientuese, sidomos nga muaji mars e këtej, kështu që nuk keni arsye për t’u stresuar për testimet” – u tha Arbana maturantëve.

Gjatë komunikimit me maturantët e qytetit të tij, kryebashkiaku zbuloi edhe disa detaje nga adoleshenca e tij, nga periudha e kaluar në Turqi, ku ka ndjekur studimet.

“Unë e kam bërë gjimnazin në Turqi, në fillim kur shkova më dukej aq ndryshe nga këtu, pata vështirësi, pastaj ja dola. Me këmbëngulje dhe besim te vetja gjithçka arrihet. Dhashë provimet në turqisht dhe ja ku jam këtu sot, në krye të Bashkisë. Ndoshta dhe dikush prej jush mund të jetë këtu pas shumë viteve”,– iu drejtua Arbana adoleshentëve.

Në fund, kryebashkiaku u shpreh se ishte i hapur për të dëgjuar idetë e çdo maturanti, ide këto që mund të lënë gjurmë në komunitetin ku jetojnë.

“Ishte kënaqësi për mua dhe ju siguroj që do të keni gjithnjë vëmendjen time. Kush ka dëshirë të pëfshihet në projekte të ndryshme vullnetare dyert e Bashkisë Shijak do të jenë gjithmonë të hapura, pasi ne na duhet energjia pozitive e të rinjve.” deklaroi kryetari i bashkisë duke i uruar suksese në vijim të maturës.

Sipas burimeve nga Bashkia Shijak, ky komunikim do të vijojë dhe shihet si një mundësi për të diskutuar problematikat që maturantët kanë, por gjithashtu dhe për të dëgjuar idetë e tyre.