Të gjithë autoritetet vendore duke nisur nga Zyra Rajonale e Mjedisit, Prefektura, Bashkia e Policia kanë dështuar në menaxhimin e situatës në Porto Romano në Durrës.

Këto struktura që duket të ishin ngritur në këmbë e të kishin vënë alarmin për shkak të shpërthimit masiv të naftës, nga depozita e kompanisë Gega OIL, nuk dihet çfarë bëjnë.

Në rastin konkret ose kanë mbyllur sytë në një kohë kur të gjithë flasin për pandeminë Covid-19, ose janë rryshfetuar segmente të ndryshme për të heshtur që kjo ngjarje të mos publikohet.

“DurrësLajm” ka qenë gjatë ditës së sotme në këtë zonë ku vërehet qartë se të gjithë kanalet ishin mbushur me naftë, një pjesë e së cilës ka përfunduar te banorët e tjetra në det.

Banorët për gjate ditëve që shpërtheu depozita kanë mbushur naftë në kanale. Këtë gjë po përpiqen të bëjnë edhe sot. Ata thonë se nga zona e Bisht Pallës e deri te Hidrovori, zona bregdetare u mbulua nga nafta.

Ndërkohë hidrovori i Porto Romanos ka punuar me kapacitet të plotë. Shihet qartë që nafta nëpërmjet pompave është duke u hedhur në det.

Çfarë impakti ka në florën dhe faunën e Adriatikut askush nuk di të thotë. Zyra Rajonale e Mjedisit ka heshtur. “DurrësLajm” ishte në këto zyra por askush nuk ishte në punë!

K.H.