Ministri i Turizmit dhe Mjedisit Blendi Klosi, është shprehur sot se turizmi mund të nisë të marrë frymë përgjatë muajit qershor, kur pritet të hapen sipas tij aktivitetet e para dhe fluturimet.

Në një intervistë për Report Tv, ministri tha se me grupet e ekspertëve të Ministrisë së Shëndetësisë, është duke u përgatitur projekti për sezonin turistik, ku të respektohen rregullat e higjienës dhe të distancimit social.

Klosi tregoi se po punohet me ekspertët për planin konkret ku do të ketë distancë mes çadrave, por nuk tha detaje pasi gjithçka pritet të vendoset deri në momentin kur mund të mendohet hapja e aktivitetit turistik.

“Ne kemi përgatitur një material të plotë së bashku me Ministrinë e Shëndetësisë që edhe ai është në diskutim nga grupet e ekspertëve. Italia i ka nxjerrë materialet e para, se e ka më specifike sipas rajoneve, dhe ka nxjerrë masat e reja për plazhet, me distanca nëpërmjet çadrave, ka propozime në turizëm elitar ku të ketë ndarje me peçikllaz ndërmjet çadrave. Ne e kemi bërë një material, do të jetë pjesë e diskutimit deri në momentin që do të mendojmë se do të fillojë hapja, një ide se si mund të jetë sezoni i plazhit po përpunohet nga grupi i ekspertëve. Sa i përket hotelerive dhe lokaleve, do të jenë të fundit që do të hapen”, u shpreh ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi.