Abaz Binjaku, një emigrant shqiptar i cili prej vitesh jeton bashkë me familjen në Angli ka dhuruar 100 pako me ndihma ushqimore për familjet në nevojë në ish-Kënetë, Durrës.

Ushqimet u shpërndanë nga njësia administrative nr.6 një ditë më parë në familjet të cilat janë në vështirësi ekonomike për shkak të izolimit nga koronavirusi.

I njohur përmes rrjeteve sociale me problematikat që po përballen banorët e zonës së ish-Kënetës gjatë kësaj periudhe, Binjaku kontaktoi me kryetarin e komunës Serjan Mazrreku për të dhënë kontributin e tij.

Mazrreku thotë se në njësinë administrative që drejton ai ka rreth 1200 kërkesa për ushqime bazike dhe sipas verifikimeve vetëm 600 prej tyre i përfitojnë ato.

“Do mundohemi të shkojmë gjatë gjithë kësaj kohe lufte, në mënyrë periodike sepse këto nuk janë ushqime për dy muaj, por për 10 ditë dhe ne duhet t’i regjistrojmë këto familje që kanë realisht nevojë që të mos mbeten pa ushqime”, thotë Mazrreku.

Izolimi në shtëpi për shkak të koronavirusit, ka bërë që shumë familje në këtë zonë të jenë në vështirësi financiare pasi janë shkëputur nga puna dhe nuk mund të sigurojnë të ardhura.

Ndaj Mazrreku ka një mesazh për të gjithë ata që kanë mundësinë ekonomike që të solidarizohen me situatën dhe të ndihmojnë familjet në nevojë në ish-Kënetë.

G.D.