Nëna e 31-vjeçarit, Mihal Papajorgji, i cili u arrestua nga policia së bashku me bashkëshorten ruse, ndërsa kishin dalë të bënin pazar pa u pajisur me leje dalje, u shpreh para seancës gjyqësore të ditës së sotme, se gjithçka kishte ndodhur kur efektivët e rendit i kishin kërkuar shtetases ruse lejen.

Sipas Athina Papajorgjit, policia e tërhoqi dhe e futi në makinën nusen e djalit të saj sikur të ishte kafshë, ndërsa çifti i ri ishte duke kryer blerjet e nevojshme.

“Dolën të blinin dy kile patate dhe u arrestuan si kriminelë. Nuk kanë bërë asgjë për të shkuar në polici e të qëndronin atje tre ditë. Nusja është e huaj ruse nuk di as gjuhën mire. E tërhoqën dhe e futën brenda si një kafshë”, tha nëna e djalit për DurrësLajm.

Gjykata vendosi masën e sigurisë “Arrest shtëpie” për çiftin Mihal dhe Oksana Papajorgji. Sipas avokatit mbrojtës, Ilia Ilia, vendimi i gjykatës dhe kërkesa e prokurorisë janë të pabazuar në ligj.

“Oksana nuk komunikon mirë shqip, por çifti ishte dakord të gjobitej me masë administrative siç e parashikon ligji. Akuza e goditjes së polices nga Roksana bie sepse ajo është 50 kg ndërsa policja dyfishi i saj”, pohoi akovati.

Avokati tha se gruaja u konfliktua me policinë, ndërsa ishte duke pritur bashkëshortin që po blinte produkte në treg.

Çifti akuzohet për kundërshtim me dhunë të forcave të policisë. Sipas prokurorisë që kërkoi ‘arrest me burg’ Oksana Papajorgji ka goditur një punonjëse policie dhe ka kundërshtuar forcat e rendit, madje, sipas këtyre të fundit, shtetasja ruse ka kafshuar në dorë policen femër.

Paraditen e sotme, prindërit e Mihal Papajorgjit prisnin jashtë dyerve të gjykatës së bashku me mbesën e tyre, vajzën e mitur të çiftit.