Kryeministri Edi Rama ka njoftuar sërish sot se në fund të javës do fillojë operacioni i dytë i riatdhesimit për emigrantët që duan të kthehen në Shqipëri. Në një njoftim në mediat sociale Rama bën me dije se ky plan do të përshpejtohet dhe do të ndryshojë në vijim duke u adoptuar në funksion të të dhënave nga COVID-19.
“JA SI DO TË NISË RIATDHETËSIMI NGA ITALIA NË FUND TË JAVËS *Plani i Riatdhesimit do të përshpejtohet dhe si të gjitha masat e tjera, do të ndryshojë në vijim duke u adaptuar në funksion të të dhënave nga fusha e luftës me COVID-19”, shkruan Rama.
Ndërkohë në video është ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku e cila prezantoi planin dhe tha se udhëtimet do të jenë nga disa vende të Evropës përmes “Air Albania”. Ajo shtoi se të gjithë emigrantët do të akomohohen për 14 ditë në disa hotele në Durrës.
“Air Albania do të nis disa udhëtime nga disa destinacione evropiane. Për të siguruar akomodimin ministria e Turizmit ka mbyllur disa marrëveshje me struktarat e hotelerisë në Durrës, të cilat janë gati të transformohen në godina për karantinimin”, u shpreh Balluku.





