“Disa lokale vijojnë të qëndrojnë të hapura në Sektor Rinia.”

Ky është denoncimi i një banoreje të kësaj zone në redaksinë e “DurrësLajm”.

Të trembur nga përhapja e koronavirusit si pasojë e grumbullimeve, banorët kërkojnë të bëhet publik shqetësimi i tyre në mënyrë që të ndërhyjnë autoritetet.

“Lokalet e vogla qëndrojnë hapur e askush nuk i kontrollon, ndërsa lokalet e mëdha e çdo gjë tjetër është mbyllur. I mbajnë dyert e mbyllura dhe vazhdojnë punojnë, janë në buzë të rrugës. Në mëngjes janë plot. Ku është kontrolli, shteti? Janë 4 lokale që rrinë hapur, vetëm një është në lagje pak më larg rrugës, të tjerët janë anës rrugës.”, shkruan qytetarja.

Prej disa javësh, kryeministri Edi Rama ka urdhëruar mbylljen e lokaleve në gjithë Shqipërinë si një nga masat kundër përhapjes së koronavirusit, ndërsa jo pak herë ka paralajmëruar sanksione të rënda  për ata që thyejnë këtë vendim i cili është ende në fuqi.

Kujtojmë se më herët, në qytetin e Durrësit janë konstatuar të hapura disa lokale në lagje të ndryshme ndërsa është vendosur gjobë ndaj klientëve dhe pronarëve, këta të fundit madje janë shoqëruar edhe në komisariat.