Marsel Papajorgji 31 vjeç dhe Oksana Papajorgji prindër të një vajze 8-vjeçare kanë qëndruar për tre ditë në dhomat e paraburgimit të Durrësit pasi janë ndaluar nga policia e Durrësit duke blerë produkte ushqimore në markatën e qytetit.

Çifti banorë të lagjjes numër 8 në Durrës, u arrestuan me akuzën e thyerjes së karantinës duke dalë si çift në tregun agro-ushqimor, dhe duke mos iu përmbajtur masave mbrojtëse për Koronavirusin. Në gjykatë mes ankthit dhe frikës për të ardhmen e tyre gjykata vendosi: arrest në shtëpi.

Nëna e 31-vjeçarit arrestimin e djalit dhe të nuses e konsiseroi të pa drejtë. “Dolën të blinin dy kile patate dhe u arrestuan si kriminelë. Nuk kanë bërë asgjë për të shkuar në polici e të qëndronin atje tre ditë. Nusja është e huaj, ruse, nuk di as gjuhën mirë”, tha nëna e djalit.

Çifti akuzohet për kundërshtim me dhunë të forcave të policisë. Sipas prokurorisë, që kërkoi arrest me burg, Roksana Papajorgji ka goditur një punonjëse policie dhe ka kundërshtuar forcat e policisë.

Burimet policore thanë se gruaja ka kafshuar në dorë policen femër.

Ndërsa avokati mbrojtës Ilia Ilia e konsideroi arrestimin të padrejtë. Avokati tha se gruaja u konfliktua me policinë ndërsa ka qenë duke pritur bashkëshortin që po blinte produkte në treg. Roksana nuk komunikon mirë shqip, ata ishin dakord të gjobiteshin me masë administrative siç e parashikon ligji. “Akuza e goditjes së polices nga Roksana bie sepse ajo është 50 kg, ndërsa policja dyfishi i saj”, tha ai.

Gjykata vendosi që t’i lërë në arrest shtëpie çiftin e bashkëshortëve Papajorgji.

Policia e Durrësit ka ashpërsuar masat dy ditët e fundit për çdo dalje të qytetarëve nga shtëpia kërkohet leja e miratuar nga e-Albania.

(Në fotot më poshtë, prindërit dhe vajza 8-vjeçare e çiftit)