Për shumë gra është e vështirë që t’u japin zgjidhje flokëve në këtë kohë karantine. Parukieret nga njëra ana përpiqen që të japin këshilla “bëjeni vetë” në shtëpi, duke kujtuar se dalja e bojës është kthyer në modë. Dhe nga ana tjetër ato në Itali po përgatiten për fazën kur do të hapet biznesi i tyre, kur asgjë nuk do të jetë si më parë dhe u duhet të gjejnë mënyra të reja e të sigurta për të mirëpritur klientët.

“Kur të rihapemi, të gjithë do të duhet të riorganizojmë biznesin tonë. Nuk mund ta lini asgjë rastësore, do të duhet të rimendoni çdo gjest, çdo procedurë. Pra, le ta përdorim këtë kohë për të reflektuar dhe përvetësuar aftësi të reja”, thotë menaxheri i një qendre estetike, Valerio Galeotti, transmeton Il Messaggero.

Ai thotë se kthimi në jetën normale do të jetë gradual dhe nuk do të jetë e lehtë as për klientët që t’i rikthehen parukerive.

“Vendet e klientëve duhet të jenë 2 metra larg njëri-tjetrit. Orari i punës duhet të zgjatet dhe numri i ditëve që do të punojmë”, thotë ai.

Rregulla të tjera të reja që duhet të zbatohen nisin nga hyrja e klientëve: duhet t’i dezinfektojnë duart me xhel; te këpucët do të veshin qeska, një praktikë që përdoret kur shkohet tek dentisti; peshqirët që janë të siguruar në çanta speciale; maska dhe dorashka të detyrueshme për të gjithë, nga klientët tek punonjësit; furçat dhe mjetet e tjera do të dezinfektohen para çdo përdorimi; ulëset të mbështjella me letra njëpërdorimshme për çdo klient; të gjithë do të mbajnë veshje njëpërdorimshme.