Në këto ditë të vështira, ku qytetet më të mëdha të globit janë të mbyllura dhe linjat e fluturimeve krejtësisht të reduktuara, një pilot i linjës Zyrih-Prishtinë ka patur një ide të veçantë.

Ai ka fluturuar mbi qiellin e kryeqytetit të Kosovës duke krijuar në harkun e tij të fluturimit, një zemër, si shenjë mbështeteje dhe solidariteti lidhur me situatën e krijuar. Ka qenë Agjencia e Shërbimeve të Navigacionit Ajror të Kosovës (ASHNA), që përmes një postimi në rrjetet sociale ka publikuar edhe imazhin që fluturimi i avionit ka lënë në radarët e tyre.

“E jashtëzakonshme në Hapësirën Ajrore të Republikës së Kosovës! Sot më kërkesë të pilotit dhe me miratim të kontrollorit të trafikut ajror, aeroplani i kompanisë Chair në linjën Cyrih – Prishtinë bëri simbolin e zemrës në qiellin e Kosovës si shenjë përkrahjeje për vendin tonë në këto momente të vështira për gjithë në, si rrjedhojë e virusit COVID-19”, thuhet në njoftimin e Agjencisë.