Dramatike janë pamjet që vijnë nga porti i Durrësit paraditen e sotme, ku kanë mbërritur arkëmortet me disa prej viktimave që kanë humbur jetën nga koronavirusi në Itali.

“DurrësLajm” mëson se sot kanë mbërritur 8 makina funerale që kanë sjellë trupat e 12 personave që kanë humbur jetën për shkak se u prekën nga virusi vdekjeprurës Covid-19 në vendin fqinj, që është dhe më i prekuri në Europë.

Deri më tani, nuk ka ende një bilanc të qartë të shqiptarëve që kanë humbur jetën nga koronavirusi në vendin fqinj, përveç disa rasteve të publikuara në media, apo statuseve të familjarëve që kanë humbur njerëzit e tyre të shtrenjtë.

“Antenna Sud” në Bari publikoi disa nga sekuencat dramatike të hipjes në arkivole për në Durrës duke e quajtur “Koronavirusi, udhëtimi i fundit drejt shtëpisë”:

“Kthimi i trishtuar në vendin e tyre. Këtu në Itali kishin gjetur punë, kishin realizuar një ëndërr. Sonte nga porti i Barit pamjet dramatike të makinave të varrosjes së shtetasve shqiptarë viktima të pandemisë. Ata do të ngjiten në tragetin Marina drejt Durrësit për lamtumirën e fundit”, shkruante media italiane.

Nga pandemia e koronavirsusit në Itali, sipas shifrave të fundit nga Mbrojtja Civile, janë regjistruar në total 18.279 viktima, ndërsa në Shqipëri numri i të vdekurve aktualisht ka shkuar në 23.