Vendi fqinjë, Itali, regjistroi sot 610 viktima nga koronavirusi, ndërsa numri total ka arritur në 18.279. Ndërkohë në Lombardi, rajoni më i goditur nga koronavirusi, numri i viktimave i ka kaluar 10 mijë persona.
E ndërsa Italia është ende në luftë me pandeminë, që sot regjistroi 4204 raste të reja, edhe shtetasit shqiptarë që ndodhen atje nuk kanë mbetur imun ndaj sëmundjes, që deri tani ka shkaktuar më shumë se 91 mijë perosna.
Antenna Sud në Bari ka publikuar në faqen e saj në Facebook një fakt tronditës. Media italiane ka publikuar disa foto nga porti i Barit të makinave funerale të rreshtuara në pritje për t’u imbarkuar në tragetin e linjës Bari – Durrës. Deri tani, nuk ka një bilanc të qartë të shqiptarëve që kanë humbur jetën nga koronavirusi në vendin fqinjë, përveç disa rasteve të publikuara në media, apo statuseve të familjarëve që kanë humbur njerëzit e tyre të shtrenjtë.
“Koronavirusi, udhëtimi i fundit drejt shtëpisë
LIVE nga porti i Barit sekuencat dramatike të hipjes në arkivolëve për në Durrës.
Kthimi i trishtuar në vendin e tyre. Këtu në Itali kishin gjetur punë, kishin realizuar një ëndërr. Sonte nga porti i Barit pamjet dramatike të makinave të varrosjes së shtetasve shqiptarë viktima të pandemisë. Ata do të ngjiten në tragetin Marina drejt Durrësit për lamtumirën e fundit.
Foto: Francesco Saccente” shkruan media italiane.
Në fotot e publikuara duket qartë se makinat funerale janë me targa shqiptare. Trupat e viktimave shqiptare nga koronavirusi në Itali kryejnë udhëtimin e fundit drejt vendit të lindjes, ku dhe do të prehen përfundimisht.
Ndërkohë, në vendin tonë, sot u regjistrua viktima e 23 nga koronavirusi. Një 72-vjeçare nga Tirana, e cila vuante edhe nga sëmundje të tjera shoqëruese humbi betejën me Covid 19.





