Botuesi Henri Çili do hetohet në gjendje të lirë. Vendimi u mor nga Gjykata kundër Krimit dhe Korrupsionit, e cila la në fuqi masën e dhënë më parë nga Gjykata e Apelit në Gjirokastër.

Hetimet nisën në Përmet, por gjykata vendosi të shpallë moskompetencë duke e transferuar dosjen në prokurorinë e posaçme kundër krimit dhe korrupsionit.

Çili u arrestua në muajin shkurt pas operacionit “Mezhgorani”, ku u vunë në pranga edhe 30 persona të tjerë, mes të cilëve edhe avokati Ilir Korbi dhe ndërtuesi Besnimk Fishti. Vetëm për këta të fundit gjykata ndryshoi masën e sigurisë nga arrest shtëpie në detyrim paraqitje.

Operacioni nisi fillimisht për falsifikim kartëmonedhash dhe trafik të lëndëve narkotike, për më pas zbuloi tentativën për ndërhyrje në sistemin e drejtësisë.

Sipas prokurorisë, Çili dyshohet se mori përsipër të ndihmonte për lirimin nga burgu të vëllezërve Arbjon dhe Alban Aliko, të dënuar përkatësisht me burg përjetë dhe 18 vjet për vrasjen e efektivit të RENEA-s, Ibrahim Basha, në vitin 2015 në Lazarat.

Në hetime ka rezultuar se, botuesi është përgjuar duke ofruar ndihmë në këmbim të parave dhe pasurive për të ndikuar te një anëtar i sistemit të drejtësisë, për lirimin e vëllezërve Aliko.

Ndaj Çilit rëndojnë 6 akuza, si ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike, falsifikimi i dokumenteve, falsifikim i dokumenteve në bashkëpunim, mashtrim, fshehje e të ardhurave dhe pastrim i parave.