Ndalesa e sotme e “Koncert në karantinë” në Durrës ishte lagjja nr.6, tek ish-befotrofi.
Në koncertin e katërt, që nga dita e premte kur startoi nisma e poetit Ard Omeri, u përsërit sërish atmosfera e ngrohtë që sjellin tingujt e muzikës për banorët e qytetit bregdetar, që nisën këtë të hënë javën e katërt të karantinës.
Nga ballkonet apo sheshpushimet e pallateve të tyre, banorët iu gëzuan zërit të artistëve durrsakë dhe qeshën me skeçet dhe paroditë e humoristëve. Ashtu si në koncertet e tjera, nuk mungonin simbolet kombtare në ballkonet e durrsakëve.
Në koncert mungoi vetëm mjeshtri i violinës Enver Qerimaj për arsye shëndetësore.
Pas falenderimeve mirënjohëse për organet shtetërore që lejuan zhvillimin e koncertit dhe Policise së Rendit dhe asaj Bashkiake, që garantuan mbarëvajtjen e saj, një falenderim i veçantë shkoi për mjekët dhe infermierët që janë në vijën e parë të kësaj lufte me një armik të padukshëm.
Gjatë koncertit, poeti Ardi Omeri njoftoi nismën e disa intelektualëve dhe biznesmenëve durrsakë, që në bashkërendim me bashkinë e Durrësit do të shpërndajnë ndihma për pensionistët dhe familjet në nevojë.
Ndalesa e rradhës e koncertit do të jetë nesër në rrugën e Ujësjellësit, lagjja nr.17, në orën 17.00.
*Pamjet filmike dhe fotot nga studio Adi Doomi





