Sot grupi i këngëtarëve që i janë bashkuar “Koncertit në karantinë” ishte në hapësirën mes pallateve në rrugën “Taulantia”. Këngëtarët Reshit Gjini, Dhimitër Stefa, Kosta Bonshi, Hysni Alushi, Julieta Strefi, Alban Kamenica, Dashamir Mehmeti dhe Astrit Serjani bashkë me mjeshtrin e humorit Edmond Halili performuan për banorët që këndonin dhe kërcenin nga ballkonet e shtëpive të tyre të mbështetur nga fonia e teatrit “Aleksander Moisiu” me Orges Istrefin.

Poeti Ardi Omeri (nismëtar dhe organizator i koncertit) falenderoi autoritetet qendrore dhe vendore, policinë e rendit dhe atë bashkiake për mbështetjen dhe bashkërendimin dhe ftoi qytetarët të qëndrojnë në shtëpi dhe të respektojnë vendimet e qeverisë për ta luftuar dhe mundur këtë armik të padukshëm.

Atmosfera e “Koncert në karantinë” vazhdon ditën e nesërme në orën 14.00, tek ish-befotrofi i vjetër për t’u dhuruar momente alegrie një tjetër komuniteti në Durrës.

*Fotot dhe pamjet filmike studio Adi Domi