Familja Kennedy është tronditur sërish nga një ngjarje e rëndë pasi mbesa e Robert Kennedy është zhdukur së bashkë me djalin e saj të vogël 8-vjeçar. Maeve Kennedy McKean dhe i biri, Gideon janë zhdukur në det ndërsa udhëtonin me një kanoe në gjirin Chesapeake. Ka qenë bashkëshorti i Maeve, David McKean, i cili në një postim në Facebook ka bërë me dije se e shoqja me të birin, kanë vdekur.
Rojet bregdetare kanë vazhduar operacionet e kërkimit, të cilave u janë bashkuar policia e Maryland dhe helikopterët e saj. Nënë e bir janë zhdukur që mbrëmjen e të enjtes, raportojnë mediet amerikane.
Maeve Kennedy McKean është vajza e ish-zvguvernatores të Maryland, Kathleen Kennedy Townsend, e bija e Robert F. Kennedy dhe Ethel Kennedy. Ajo është e martuar me David McKean, një avokat i të drejtave civile në Washington D.C., dhe është nëna e katër fëmijëve.
E zhdukura punon në Universitetin Georgetown në Washington. Familja Kennedy është një nga familjet që ka pasur humbjet më të mëdha ndër vite. Gjithçka ka nisur me atentatin ndaj John F. Kennedy në 1963 dhe Robert F. Kennedy në 1968. Këto ngjarje u pasuan me vdekjen e parakohshme të shumë anëtarëve të tjerë të kësaj familjeje. Madje ekziston një shprehje që quhet “mallkimi i Kennedy”.





