Edhe pse jemi në gjendje lufte për shkak të koronavirusit, duket sikur durrsakët ecin me parimin se “rregullat janë bërë për t’u thyer”!
Mëngjesin e sotëm disa qytetarë janë mbledhur në derën e Postës Shqiptare Durrës, ku vihet re se nuk respektohet distanca e kërkuar.
Ata qëndrojnë fare pranë njëri-tjetrit teksa presin në radhë për të marrë shërbimin e nevojshëm para se koha e tyre e lejes të mbarojë dhe të hyjë në fuqi shtetrrethimi i orës 13:00.
Disa nuk kanë marrë mundimin as të vënë maska dhe doreza, të cilat konsiderohen masë mbrojtëse efikase për parandalimin e Covid-19.
Pjesë e këtyre grumbullimeve janë edhe pensionistët të cilët prej fillimit të javës nuk lejohen të dalin nga shtëpia, pasi janë grupmosha më e rrezikuar nga koronavirusi.
Pavarësisht thirjeve të përsëritur herë pas here nga autoritetet për respektimin e rregullave kundër përhapjes së virusit, qytetarët në Durrës vijojnë t’i neglizhojnë ato.





