Për shkak të situatës që po kalon vendi nga pandemia COVID-19, Qendra për Nisma Ligjore Qytetare njofton se ofron ndihmë ligjore parësore falas në Durrës nëpërmjet telefonit.

Të gjithë ata që kanë nevojë për ndihmë juridike për çështje penale, civile, familjare, administrative të kontaktojnë:

  • Av.Sonila Shehu, ora 08.00-12.00 në Cel: 0685827370
  • Av. Alketa Kajmaku ora 12.00-16.00 në Cel: 0694785340.

Në një komunikim për “DurrësLajm”, avokatja Sonila Shehu thotë se QNL ofron këshillim ligjor në lidhje me aktin normativ për “Pezullimin e veprimtarisë dhe shërbimeve gjyqësore në të gjitha gjykatat”. 

Mësohet se janë pezulluar afatet për ngritjen e kërkesë-padisë, ankimeve, rekurseve si dhe çdo veprimi tjetër procedural në çeshtje civile, penale, administrative.

“Përjashtim kanë disa çështje specifike:

-Çështje familjare me objekt kujdestarie, birësimi, të drejta të të miturve, ushtrimi i përgjegjësisë prindërore, detyrimet për ushqim, masat mbrojtëse ndaj dhunës në familje.
-Çështje penale që lidhen me masat e sigurimit, me zgjatjen e afateve të paraburgimit, çështje me natyrë urgjente, kur i pandehuri/ përfaqësuesi i tij kërkon vazhdimin e gjykimit.
-Çështje administrative në lidhje me masat e sigurimit të padisë nqs gjykata vlerëson se shqyrtimi pas kohës së pezullimit mund të shkaktojë një dëm të pariparueshem për palët.
-Çështje civile, kur gjykata vlerëson se shqyrtimi i vonuar i çështjes mund të shkaktojë dëm të pariparueshëm.

Gjithashtu ofrohet këshillim ligjor lidhur  me VKM nr.07. datë 23.03.2020 “Për qëndrimin e përkohshëm të të dënuarve në shtëpi”, ndihmë juridike në lidhje me procedurën e përfitimit, kushtet për të përfituar qëndrimin e përkohshëm, personat që e përfitojnë.”, thotë ajo.

Sipas Shehut, ndihmë juridike është dhënë edhe në një çështje mjaft të ndjeshme për shoqërinë, siç është përfitimi i ndihmës ekonomike, procedura për ta përfituar, personat që e përfitojnë etj.

“Kjo qendër ofron informacion-referim për shërbim psikologjik falas, për dhënien e ndihmave familjeve në nevojë në qytetin e Durrësit.”, thotë avokatja, ndërsa informon se:

Përfitues të shërbimeve të ofruara për muajin mars 2020 janë 31 subjekte, nga të cilët 14 gra dhe 17 burra, 17 nga zonat urbane dhe 14 nga zonat rurale.  

16 raste janë këshilluar për cështje familjare, 4 për cështje pensioni, 2 për cështje civile, 1 për cështje penale, 1 për cështje të dhunës në familje dhe UMM/UM, 2 në lidhje me rregullat e lëvizjes së lirë në Zonën Schengen, 2 në lidhje me aplikimin për lëvizje të lirë ditore për shkak të COVID-19, dhe 3 për cështje të heqjes së zotësisë për të vepruar.

18 nga përfituesit e këshillimit ligjor falas kanë qenë të papunë, 5 invalidë që trajtohen me kemp, 2 qytetare që trajtohen me ndihmë ekonomike, 5 pensionistë dhe 1 viktimë dhune në familje.

Qendra e Shërbimit Ligjor Falas pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës mbështetet nga #PNUD në bashkëpunim me Ministrinë e Drejtësisë dhe financohet nga Qeveria austriake përmes “Agjencisë Austriake për Zhvillim” Austrian Development Agency, falë bashkëpunimit me Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Durrës.

G.D.