Maskat janë një nga produktet më të shitura që prej shfaqjes së pandemisë pasi konsiderohen një masë mbrojtëse efikase për parandalimin e Covid-19.
Për këtë arsye, shumë biznese fasone në Durrës krahas porosive të klientëve prodhojnë çdo ditë sasi të konsiderueshme maskash jo vetëm për punonjësit e tyre por edhe për t’i shpërndarë falas në institucione shtetërore apo te personeli që është në vijën e parë të luftës kundër koronavirusit.
Një nga këto biznese është kompania fasone “Conf-IM sh.p.k” në Durrës e cila deri tani ka prodhuar rreth 3000 maska falas.
Administratorja “Red Carpet Albania”, dhe fasonerisë “Conf-IM sh.p.k”, Brikena Balla bën të ditur se gjatë këtyre ditëve kompania e saj ka dërguar në spitalin e Durrësit rreth 400 maska për personelin mjekësor ndërsa po përgatit edhe 400 maska të tjera.
Njëkohësisht janë shpërndarë 400 maska mbrojtëse në qendrën shëndetësore Sukth dhe 450 të tjera i janë dorëzuar Drejtorisë së Policisë së Qarkut Durrës.
Ditën e enjte, kompania në fjalë do të dorëzojë pranë bashkisë së Durrësit, 600 maska për punonjësit e institucionit të pushtetit vendor.
Krahas institucioneve shtetërore biznesi fason ka pajisur me maska edhe personelin e disa bankave të nivelit të dytë në Durrës, ndërsa një sasi e konsiderueshme është dërguar në dy kompanitë me të cilat bashkëpunojnë në Itali.
Administratorja Balla thotë se maskat janë të një cilësie shumë të mirë dhe mund të përdoren disa herë. Ato duhet të lahen, të hekurosen pasi të thahen dhe janë gati për t’u përdorur sërish.





