Pas mbylljes një ditë më parë të tregut të fruta-perimeve në Durrës për parandalimin e përhapjes së COVID-19, tregtarët janë transferuar në pikat e lejueshme.

Ata janë zhvendosur te sheshi pranë Muzeut të Dëshmorëve dhe përballë shkollës “Leonik Tomeu” për të shitur produktet e tyre brenda orarit të caktuar nga qeveria, ndërsa te shkolla “Jan Kukuzeli” ende nuk ka dalë asnjë tregtar.

Ndërsa tregu që u mbyll dje, pas dezinfektimit dhe pastrimit, pritet të hapet ditën e nesërme më 1 prill, por këtë radhë do të respektohen rigorozisht distancat mes tregtarëve dhe qytetarëve.

Sipas administratorit të tregut, Edlir Çerri, nga dita e nesërme, tregtarët do të njihen me grafikun e ri të punës, pasi secili prej tyre do të punojë një ditë po dhe një ditë jo. Në këtë mënyrë do të respektohet rigorozisht distanca e kërkuar mes tregtarëve, ndërsa e njëjta gjë do të kërkohet edhe nga qytetarët durrsakë, që do t’i drejtohen tregut agro-ushqimor për të bërë blerjet e nevojshme.

Sakaq, tregtarët që kanë dalë sot te Muzeu i Dëshmorëve janë të paktë në numër dhe atyre iu lejohet të shesin vetëm fruta e perime dhe jo produkte bulmeti.

Ndërsa për tregatrët te “Leonik Tomeo”, sipas administratorit Çerri, po mendohet për vendosjen e një tualeti portabël dhe meqë shkolla është aty pranë, tregtarët mund të furnizohen me ujë në ambientet e saj.

Kujtojmë që vendimi për të shpërndarë tregtarët nuk u prit mirë nga këta të fundit, të cilët mëngjesin e sotëm u ngritën në protestë.